Gucati: Këtë muaj apo në nëntor do të ngrihen aktakuzat e para nga Specialja

Prishtinë | 17 Tet 2019 | 15:26 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Gjykata Speciale ka dërguar edhe sot ftesa tek ish-ushtarët dhe eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për intervistim në Hagë.

Gati për një javë kjo Gjykatë ka dërguar mbi 24 ftesa. Kështu tha për Ekonomia Online, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇk-së, Hysni Gucati, sipas të cilit ky muaj do të jetë i nxehtë si pasojë i Gjykatës Speciale.

“Është e vërtetë që unë kam treguar se qysh nga mesi i shtatorit dhe tetorit do të jetë pak muaji më i nxehtë, jo i nxehtë prej temperaturave të diellit, po i nxehtë nga Gjykata Speciale. Kështu është real, Gjykata Speciale ka dërguar një mori ftesash këtë muaj,  kështu që vetëm tri ditët e fundit apo prej të premtes e deri më sot janë mbi 24 ftesa”, tregoi ai.

Ai deklaroi se ftesë ka marrë edhe Sali Mustafa i njohur si Cali, i cili gjatë kohës së luftës së UÇK-së, ka qenë epror i Zonës Operative të Llapit.

“Për mua janë emra të njohur, por unë i ruaj në privatësinë e tyre. Me emër sot e kemi Sali Mustafën-Cali, që është eprori i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, zona e Llapit. Është edhe një tjetër nga zona e Llapit, edhe ai është epror i lartë që sipas informacioneve edhe ai ka marr ftesën. Dy janë epror të lartë të UÇK-së, njëri është i dyshuar, tjetri si dëshmitarë. Në këtë muaj presim edhe ftesa të tjera”, tha Gucati.

Ai tha se Gjykata Speciale dëshiron ta përmbyllë këtë mision  për shkak që në vitin 2020, në Kuvend do të diskutohet nëse do t’i vazhdohet ose jo mandati Gjykatës Speciale.

Gucati, madje nuk përjashtoi mundësinë që ftesë nga Gjykata të marrin edhe Hashim Thaçi e Kadri Veseli.

“Real mu bo, kësaj Gjykate nuk i besohet më, mund të ndodhë, nuk guxoj të them po, por prej kësaj Gjykate mund të ndodhë gjithçka, kështu që edhe nëse kanë ftesë, ata do t’i përgjigjen pozitivisht edhe ata nuk i frikohen gjykatës fare, gjykatës speciale apo ndonjë gjykate tjetër. Kështu që ata nuk i janë frikësua Serbisë dhe luftës dhe kësaj gjykate nuk i frikësohen, duke marr parasysh që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një luftë e drejtë. Unë i kam bërë thirrje shokëve që mos të frikësohen, mos të ikin nga Gjykata, për arsye se ne vet kemi bërë, kemi kërkuar drejtësi. Edhe pse është drejtësi selektive, e njëanshme, por ne do t’i përgjigjemi.”

Sipas tij, deri më 20 nëntor të gjithë të ftuarit duhet të lajmërohen në Gjykatë. Madje, ai deklaroi se gjatë këtij muaji apo nëntori, pritet të ngrihen edhe aktakuzat e para.

“Shumica prej të ftuarve kanë me u paraqit në muajin e 11, diku nga data 5-6, 11 nëse nuk gaboj. Kështu që të gjithë e kanë deri nga i 20 të muajit nëntor të lajmërohen në Gjykatën Speciale. Sipas informacioneve, nga një burim, pritet që shumë shpejt të ketë edhe aktakuzat e para, pritet gjatë këtij muaji apo muajit nëntor, kështu që po do të ketë. Për arrestime nuk e di, por për aktakuza po do të ngrihen”, tha ai për Ekonomia Online.

Ndërkohë, dje gjatë ditës në medie është raportuar se ftesë ka marrë edhe ministri në detyrë i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

E për ftesën e Tahirit, Gucati shprehu keqardhje, duke thënë se absurdi më i madh është të ftohet një ministër që në kohën e luftës ka qenë rreth 16 vjeçar.

“Për Abelard Tahirin, përmes medieve kam dëgjuar, neve nuk na përket të flasim, pasi nuk është pjesë e organizatës së Veteranëve nuk është pjesëtar i UÇK-së, se ka qenë ai shumë i ri në luftë, 15 vjeçar me sa di unë, kështu që nuk e din ë cilësinë e kujt e kanë thirr Abelard Tahirin. Më vjen keq pse e kanë thirr, me keqardhje them më vjen keq. Ne reagojmë publikisht që Gjykata Speciale është më shumë një lojë politike se sa drejtësi. Që të ftohet një ministër që në kohën e luftës ka qenë 15vjeçar apo 16, ky është absurdi më i madh. Janë dy persona që thirren si të mitur. Një ka qenë para një kohe që është thirr, e tash edhe Abelardi. Kështu që ne nuk e dimë për Abelardin pse e kanë thirr, por neve na vjen keq. Unë kam dëgjuar përmes medieve”, u shpreh ai.

Gucati tha se ftesat e bëra nga Gjykata Speciale, po i bëjnë të mendojnë familjarët e tyre se ata do të shkojnë në Hagë dhe nuk do të kthehen për një kohë të gjatë.

“Shumë është e rëndë për familjen. Mu më ka rënë të takohem me familjarë të tyre, me fëmijët, me bashkëshorten, me vëllanë, babanë, nënën, shumë është e vështirë, se familjarët nuk e dinë, shkon, por a kthehet, edhe nëse këta e ftojnë si dëshmitarë apo të dyshuarit, ata mendojnë që ky do të jetë në Hagë dhe nuk do të kthehet një kohë të gjatë. Nuk mundem me përshkrua se sa e rëndë është kjo për familjarët”, u shpreh ai për EO.

Të ngjashme