Hahn: Tregu i përbashkët i Ballkanit – nuk e zëvendëson BE-në

Prishtinë | 09 Qer 2017 | 08:16 | Nga

Komisionari i Bashkimit Evropian për zgjerim, Johannes Hahn dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, përkrahën sot idenë e krijimit të një tregu të përbashkët ballkanik, duke thënë se ky është një hap drejt integrimit evropian dhe rritjes së konkurrencës.

Këto komente ata i bënë pas takimit në Beograd, ku Hahn po qëndron për një vizitë zyrtare. Hahn hodhi poshtë si “të gabuara” shqetësimet e disa udhëheqësve të rajonit se një treg rajonal mund të vonojë përparimin e vendeve të tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Kjo zonë rajonale ekonomike, është një hap i menjëhershëm dhe i pashmangshëm përpara drejt integrimit të mëtejshëm evropian. Nëse dikush beson ose argumenton se ky hap mund të shkëpusë perspektivën evropiane, ai ose ajo gabon. Është krejt e kundërta. Është përgatitje e rajonit për hapat e ardhshëm në integrimin në Bashkimin Evropian, që do të thotë edhe aderim në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian”, tha Hahn, përcjell VoA.

Presidenti serb Vuçiq theksoi se rregullat e unifikuara do të nxisin konkurrencën e vendeve në rajon dhe do të tërheqin më shumë investime.

“Ne jemi të gjithë të vegjël në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Nëse do të mund të formonim një treg të përbashkët, nëse do të mund të afroheshim ose të barazohemi me subvencionet tona, të afrojmë apo barazojmë normat tona tatimore, atëherë do të kishim një treg të unifikuar, një zonë ekonomike të unifikuar, shpenzime më të vogla në transportin e mallrave, kapitalit dhe njerëzve, transport dhe trafik shumë më të shpejtë dhe më të mirë, gjithçka që nevojitet. Mos harroni se do të tërhiqte investitorë për të gjithë në rajon”, tha ai.

Por, në Kosovë ideja e rregullimit të një tregu të përbashkët rajonal të vendeve të Ballkanit merret me rezervë. Kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, nuk e kishte përkrahur një ide të tillë ngase sipas tij tregu i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk është në interes të njëjtë të të gjitha vendeve. E njohës të çështjeve të ekonomisë, mendojnë se nuk duhet të ecet përpara me një proces të tillë pa e rishikuar fillimisht ndikimin e marrëveshjeve të mëhershme në këtë fushë siç është Marrëveshja për Tregti të Lirë të vendeve të Evropës qendrore, CEFTA, pjesë e së cilës është Kosova.

Ideja për rregullimin e një tregu të përbashkët rajonal ishte propozuar nga zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në takimin e kryeministrave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është mbajtur në Sarajevë. Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia – aspirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian dhe janë në faza të ndryshme të procesit të pranimit.

Kujtojmë se Kosova dhe Mali i Zi kishin kundërshtuar idenë e këtij tregu.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme