Hamiti: Ibrahim Rugova dijetari e shtetari i Kosovës

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 10:26 | Nga Ekonomia Online

Ish-ambasadori, Muhamet Hamiti e ka kujtuar ish-presidentin historik Ibrahim Rugova, në 75 vjetorin e lindjes së tij.

Përmes një shkrimi në Facebook, Hamiti ka thënë se figura e Rugovës është rritur me kalimin e kohës.

“Dijetari i letërsisë (Dr. Rugova, siç njihej atëherë) hyri këmbë e krye në jetën politike para tridhjetë vjetësh, në dhjetorin e vitit 1989. Pakkush besonte para tri dekadash se Kosova, statusi administrativo-juridik i së cilës u shemb atë vit prej Serbie, jo pa fajin edhe të elitës komuniste shqiptare, të mund të niste ringritjen e vet: ngadalë, me disiplinë e kulturë, me rezistencë e sakrificë. Me punë, me dije e me luftë. Ibrahim Rugova i priu lëvizjes pavarësiste shqiptare që u kurorëzua me Republikën e pavarur të Kosovës, që do ta njohë atë si Presidentin historik, Atin Themeltar të shtetit tonë.

Ibrahim Rugova (1944-2006) doli pashmangshëm njeriu që në dhjetor të vitit 1989 do t’i printe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), formacionit të parë politik demokratik që lindte në trojet shqiptare pas shumë dekadash sundimi komunist”, ka thënë Hamiti.

Tutje, i njejti thotë se ish-presidenti Rugova, nuk e zgjodhi rolin e prijësit, mirëpo, i ra hise.

“Dy vjet e gjysmë më vonë, në zgjedhjet e para nacionale, parlamentare e presidenciale, Ibrahim Rugova u zgjodh me votë popullore Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa u njoh botërisht si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës, mbasi Republika nuk njihej. U bë kryetari e diplomati i parë, burrështetasi i Kosovës kur vendi ynë nuk njihej si shtet në rrafsh ndërkombëtar. Jo ende, sepse duhej punë për ta bërë Kosovën shtet, duhej çliruar e demokratizuar vendi. Për këtë duhej kulturë, disiplinë e organizim shtetëror, të cilat ai, me bashkëpunëtorët e vet dhe me organizmin e pashoq të qindra-mijëra njerëzve në LDK, atëherë lëvizje politike, dhe besimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve, do t’i vinte në jetë duke krijuar Republikën e parë të Kosovës, që njihet si ‘shteti paralel‘ i shqiptarëve në kohën e okupimit serb. Rugova u bë ikona e Kosovës dhe lidhja simbiotike e saj me identitetin e veçantë shqiptar e vlerat euro-atlantike me të cilat do të lidhej natyrshëm.

Ibrahim Rugova u bë figurë nacionale në vitet e nëntëdhjeta, por kësaj rruge ishte nisur vite më parë. Në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës nga viti 1987, në ato dy vjet e sa, Shoqata dhe ai vetë bënin punë letrare e politike në mbrojtje të shqiptarëve të cilët prej vitit 1981, nga Ngjarjet e atij viti, ishin vënë në shënjestër të Serbisë që donte të përmbyste rendin kushtetues federativ të vendosur më 1974, që e bënte Kosovën njësi gati-Republikë në Federatën Jugosllave. Serbëve u dukej statusi i shqiptarëve dhe i Kosovës përtej mase i lartë. Shqiptarëve u dukej i mangët për sa kohë që Kosova nuk ishte plotësisht e barabartë, Republikë, jashtë orbitës së Serbisë”, ka shtuar tutje.

Sipas Hamitit, intervista më e njohur e Rugovës, ishte botuar në vitin 1989 te e përjavshmja ‘Der Spiegel’.

“Intervista më e njohur e Ibrahim Rugovës, atëherë shkrimtarit 44-vjeçar, u botua në qershor të vitit 1989 te e përjavshmja politike gjermane “Der Spiegel”. Serbët kthehen për t’u hakmarrë, tha Rugova, në vigjilie të tubimit masiv serb në Gazimestan, në periferi të Prishtinës, me rastin e 600-vjetorit të Betejës së Kosovës, që Millosheviqi do ta përdorte për të paralajmëruar se Federata Jugosllave do të rinkofigurohej për ta akomoduar Serbinë e tij të Madhe, mbasi që Kosova ishte kthyer nga njësi federale në pjesë të Serbisë me ndryshimet e imponuara kushtetuese të pranverës së 1989-shit. (Më 23 mars Kuvendi i Kosovës, me shumicë delegatësh shqiptarë, vendosi të miratonte ndryshimet e imponuara kushtetuese që u formalizuan nga Kuvendi i Serbisë më 28 mars 1989. Pak delegatë shqiptarë kishin votuar kundër, me mijëra shqiptarë kishin protestuar në rrugë e sheshe, me dhjetëra ishin vrarë ato ditë. Lavdi i kundërshtuesve e ka mbuluar fajin e votuesve apo abstenuesve shqiptarë, që e kanë merituar turpin historik, me emër e mbiemër seicili.)”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme