Hamiti: Rugova ishte pacifist realist, e njihte popullin e vet prandaj mori besimin e tyre

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 18:25 | Nga Ekonomia Online

Bashkëpunëtori i afërt i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, Muhamet Hamiti, ka thënë që Rugovës i ka besuar populli i Kosovës sepse ai i njihte mirë ata

“I besonte populli sepse ai e njihte mirë këtë popull dhe e kërkoi besimin e tij për ta drejtuar këtë popull”, ka thënë Hamiti për Info Magazine të Klan Kosovës.

“Ajo që e ka bërë Rugova – me bashkëpunëtorët e vet sepse ajo ka qenë lëvizje e madhe e prirë nga intelektualët, bashkëpunëtorët e tij – ka qenë që ta kërkojë besimin e popullit për të ndjekur këtë rrugë të orientimit euro-atlantik me termat e sotëm – pra perëndimor – për të njohur vlerat më të mira të kombit dhe për t’i riankoruar këto vlera në arealin kulturoro-politik perëndimor”.

“Ai u bë zeri i Kosovës madje para se të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në fund të vitit 1989 sepse u bë zëri i parë – s’po them bash i vetmi – që e artikuloi çështjen e shqiptarëve të Kosovës,” vijoi Hamiti duke e kujtuar intervistën e tij për gazetën Der Spiegel ku Rugova e kishte parashikuar kryengritjen e shqiptarëve.

Sipas Hamitit, Rugova ka qenë pacifist brenda kufijve realistë, dhe se qasja e tij rezultoi të jetë tejet pragmatike marrë parasysh edhe lëvizjet e tij në krijimin e miqësive ndërkombëtare.

“Rugova ka qenë humanist por nuk ka qenë pacifist demode, i atyre që kanë bërë be për të qenë gjithmonë në këtë politikë të pastër, sepse ka qenë realist dhe pragmatist; humanist thellë në shpirt; e ka njohur situatën e popullit të vet dhe e ka internacionalizuar çështjen e Kosovës dhe në fund kur erdhi puna e luftës duke përfshirë edhe luftën e armatosur të shqiptarëve, krijoi aleanca dhe miqësi për të na ndihmuar në momentet historike dhe të rënda të vitit 1989”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme