Handikosi pranon donacion 70 karroca nga Izraeli

Prishtinë | 11 Gus 2022 | 10:40 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qendra e Resurseve për Personat me Aftësi të Kufizuara “Handikos”, ka pranuar donacion prej 70 karrocave për personat me nevoja të veçanta, donacion që po jepet për herë të dytë nga Izraeli, raporton Ekonomia Online.

Me këtë rast të pranishmit thanë se këto karroca do ta lehtësojnë sado pak jetën e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Drejtori i kësaj qendre, Afrim Maliqi ka falënderuar shtetin e Izraelit për ndihmën e vazhdueshme për këta persona.

Maliqi tha se për shkak të mungesës së mjeteve, detyrohen të funksionojnë me këso lloj donacionesh. Ai kritikoi edhe institucionet për mungesë përkrahjesh.

“Këto karroca do t’iu shërbejnë fëmijëve me aftësi të kufizuara, si në Prishtinë por edhe gjithandej Kosovës, që do të bëjmë shpërndarjen e tyre, gjithë fëmijëve të cilëve iu përshtaten. Sot personat me aftësi të kufizuara, si fëmijët, si të rriturit, nuk marrin as pajisje ndihmëse, as shërbime tjera institucionale, përpos shërbimeve sociale nga organizatat e ndryshme joqeveritare edhe ndonjë mbështetja financiare që e marrin si kompensim mujor për mbulimin e shërbimeve të tyre ditore. Personat me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre janë grupi më optimistë, përkundër asaj që janë grupi më i varfër dhe rrezikuar në vendin tonë”.

“Gjithsesi do të mundohemi të bashkëpunojmë edhe me klinikat e pediatrisë në spitalet regjionale sepse sigurisht edhe aty do të kenë nevoja që fëmijët sa të jenë të shtrirë aty, me qëllim të lehtësimit të lëvizjes më të lirë dhe më të lehtë, por gjithsesi kur flasim për lëvizjen e lirë, vendi ynë ende ballafaqohet me mungesën e infrastrukturës apo qasjen e duhur dhe të përshtatshme që personat me aftësi të kufizuara apo përdoruesit e karrocave të jenë të barabartë me lëvizjen e lirë edhe pse këtu ka një lëvizje, por ende po shpresojmë që duhet të rregullohet më tutje”.

Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tammy Ziv, tha se këto karroca janë të dedikuara enkas për këta fëmijë.

“Këto karroca janë simbol i miqësisë mes vendeve tona dhe simbol i rëndësisë që ne në Izrael u japim marrëdhënieve me Kosovën. Është gatishmëria jonë për t’i forcuar këto lidhje, jo vetëm me qeverinë, por me popullin dhe fëmijët e këtij vendi, ministri izraelit i bashkëpunimit rajonal, Esawi Frej, i cili vizitoi Kosovën në muajin prill, dhe besoi se investimet më të rëndësishme janë ato te fëmijët, te të rinjtë dhe në edukimin e tyre, sepse këto investime sigurisht që do t’i kthejnë të arriturat”.

“Besojmë se me këto karroca, jeta e tyre do të bëhet pak më e lehtë dhe ata do të mund të integrohen më mirë në jetën e përditshme. Ne do të punojmë së bashku me ju për të zhvilluar projekte të tjera bashkëpunimi në dobi të fëmijëve dhe familjeve të tyre”.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, u shpreh i lumtur me këtë donacion.

“Jemi shumë të lumtur që 70 fëmijë të Kosovës në regjione të ndryshme të Kosovës do të kenë mundësi të përfitojnë nga këto. Në takimin e parë këtu në prill patëm edhe kompaninë e cila e ka bërë donacionin e cila shpjegoi për specifikat e karrocave”.

“Shumë i lumtur për këtë bashkëpunim me juve, shumë i lumtur për bashkëpunimin me Izraelin dhe vizita e parë e ministrit izraelit në Kosovë ishte këtu dhe filluam bashkëpunimin me një kujdes të veçantë të personave me nevoja speciale të veçanta dhe si shtet këtë vit e kemi shpallur vitin e personave me nevoja të veçanta dhe do të angazhohemi edhe si qeveri që të gjitha politikat tona të shkojnë në drejtim të lehtësimit të jetës së qytetarëve pa asnjë dallim të çfarëdo lloji”.

Të ngjashme