Hani i Elezit vazhdon të përballet me mungesë të ujë të pijes, Suma kërkon zgjidhje nga Qeveria

Prishtinë | 20 Sht 2020 | 08:00 | Nga Resmije Ballazhi Jahiri Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banorët e Hanit të Elezit, ende vazhdojnë të ballafaqohen me problemin e ujit të pijes. Ani pse, komuna ka tentuar që tu bëjë zgjidhje, një gjë e tillë ende nuk është rregulluar përfundimisht.  

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, në një intervistë për Ekonomia Online, ka pohuar se, pothuajse që 10 vjet, merren me të njëjtin problem.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të bëjnë një zgjidhje, ngase menaxhimi i ujit nuk varet nga niveli komunal, por kompanitë Regjionale të Ujit.

Një tjetër çështje për të cilën thuhet se komuna e Hanit të Elezit, po hap konkurse dhe po punëson të “njofshmit” kryetari i kësaj komune e demanton një gjë të tillë.

“Për çdo konkurs, kemi komision dhe asnjëherë nuk mund te merret dikush ne punë ashtu siç pretendojnë të tjerët, zakonisht politika. Kush do që punësohet në komunën tonë, ne jemi ne lidhje qoftë familjare qoftë shoqërore, sepse jemi vend i vogël.  Por nuk qëndron ajo se çfarë flasin të tjerët”, shprehet kryetari Suma.

Ia ka bërë të ditur se shumë shpejtë do të hapet çerdhja e parë në këtë komunë.

Intervista e plotë:

EO: Z. Suma, keni tre mandate që jeni në krye të Komunës së Hanit të Elezit, a pretendoni të kandidoni përsëri pasi që të ju përfundojë ky mandat?

Suma: Ka qenë kërkesë e qytetarëve për të kandiduar edhe në mandatet e kaluara. Ne, kemi pas vendosur që të jemi në shërbim te qytetarëve dhe jemi këtu ku jemi. Me dëshirë, unë nuk kisha kandiduar as në mandatin e dytë dhe të tretë, megjithëse duke u bazuara në vlerësimin e qytetarëve dhe kërkesat e tyre, do të shohim se a do të kandidojmë edhe në mandatin e katërt. E rëndësishme ështe që, sa të jem në këtë mandat, ta përfundoj më së miri.

EO: Hani i Elezit, vazhdon të jetë Komuna që ende nuk ka një çerdhe! Ku qëndron problemi?

Suma: Kërkesa për çerdhe, ka qenë e kahershme. Do të thotë se ne, nuk kemi pasur pronë, parcelë se ku do të ndërtohet çerdhja, mirëpo më vonë pas kthimit të pronave të ish Armatës Jugosllave, për shkak të planit zhvillimor Komunal, ndërtimi i çerdhes ka qenë në ato prona dhe pasi qe janë kthyer pronat ne e kemi ndërtuar objektin, mirëpo fatkeqësisht, që tre vite kemi pritur nga Ministria e Arsimit, që të jepet leja për fillimin e punës së kësaj çerdhe. Këtë vit, pas shumë kërkesave është miratuar fillimisht me rishikim të buxhetit të Qeverisë,  është vendosur që të hapet çerdhja. Jemi në procedura të hapjes së kësaj çerdhe, ku tash më, e kemi dërguar kërkesën për licencim nga Ministria e Arsimit. Buxheti është ndarë dhe është planifikuar numri i personelit të çerdhes dhe e kemi bërë një njoftim publik në mënyrë që qytetarët e Komunës së Hanit të Elezit t’i regjistrojnë fëmijët e tyre. Ku, brenda dy muajve do të jetë gati për hapje çerdhja.

EO: Ka ankesa nga Opozita që konkurset për punë në Komunën tuaj, po dalin vetëm sipërfaqësisht, pasi që në të njëjtin vend, punon njeriu i zgjedhur nga udhëheqësja juaj, sa qëndron kjo? 

Suma: Kjo nuk qëndron fare, për shkak se të gjithë e dinë që jemi qe tre mandate dhe Hani i Elezit është vend i vogël dhe kush do që të punësohet mund t’i japësh një kahje politike. Megjithatë, asnjëherë nuk kemi pasur këso lloj rastesh. Për çdo konkurs, kemi komision dhe asnjëherë nuk mund të merret dikush ne punë ashtu siç pretendojnë të tjerët, zakonisht politika. Nëse bazohemi në atë se çfarë shkruhet nga Opozita, si për shembull kohë të gjatë shkruhet për një mbesë timen, për të cilën thonë se “Kryetari e rehatoj mbesën e tij”, mirëpo ajo rri ne shtëpi dhe është e papunë me magjistraturë të përfunduar. Mirëpo nëse bazohesh në atë se çfarë thonë ata, ajo del te jetë e punësuar. Do të thonë, kjo nuk qëndron aspak. Mirëpo, zakonisht shkojnë në këto parime që thonë e punësoi atë sepse e ka shok, mik, familjar etj. Për shembull,  rivali im politik Mehmet Ballazhi, është i punësuar ku në të njëjtën pozitë ka kandiduar një familjar i imi, i cili është eliminuar nga konkurrimi. E nëse e shikojmë në këtë aspekt edhe kësaj mund t’i japim kahje politike, duke thënë se e ka pranuar ne punë me të ngjofshëm, sepse Mehmet Ballazhi ka qenë zëvendëskomandat i UÇK-së  në Brigadën time, po mos të ishte rival politik, me siguri se kështu do e shihnin. Kush do që punësohet në Komunën tonë, ne jemi në lidhje qoftë familjare, qoftë shoqërore sepse jemi vend i vogël.  Por, nuk qëndron ajo se çfarë flasin të tjerët.

EO: Kohë më parë, Komuna ka pasur përfitime të shumta nga Organizatat si të huajat dhe ato vendore, a vazhdon një bashkëpunim i tillë ende?

Suma: Hani i Elezit, ka pasur fatin që ka përfituar nga Organizatat e huaja dhe ato vendore, e sidomos menjëherë pas luftës, sepse ka pasur me qindra Organizata dhe na kanë ndihmuar shumë. Mirëpo, tash Organizatat e tilla janë në rënie, por megjithatë këto Organizata të cilat janë, ne,  kemi përfitime prej tyre si për shembull Demosi zviceran, ku kemi përfituar dhe përfitojmë, ku tani ne bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal ku jemi shpallur Komuna e dytë për performancë për vitin e kaluar. Mandej, kemi përkrahje nga USAID-it, GIZ-i Gjerman, Qeveria Japoneze, ku kemi pasur donacione në shërbimet Publike. Ka edhe Organizata të tjera qe kanë qenë dhe ende janë, mirëpo nuk është më ai numër i madh te cilët i kemi pasur.

EO: Çfarë po ndodhë me ujin e pijes në këtë Komunë? A keni bërë zgjidhje përfundimtare për banorët?

Suma: Problemi kryesor i Hanit të Elezit ështe, uji i pijes. Ne, kemi diskutuar dhe kemi bërë kërkesa të ndryshme, nuk është ndonjë problem qe kanë munguar mjetet financiare, por problemi ka qenë se ne si Komunë, nuk e kemi pasur atë kompetencë. Për shembull, ne e kemi përmendur disa herë që nga viti 2010 ne, veç se e kemi ndërtuar fabrikën për pastrimin e ujit, apo përpunimin e ujit, mirëpo ne si Komunë, nuk na u është dhënë e drejta për menaxhim. Me ujë, menaxhojnë kompanitë Regjionale, sikur ta kishim të drejtën e menaxhimit, me siguri që kjo çështje kishte përfunduar. Kur nuk e kemi në menaxhim vetë atëherë kompetencat janë te përziera. Por, fatmirësisht në këtë aspekt ne e kemi Bifurkacionin që menaxhon me një pjesë te ujit në Hanë të Elezit që vjen me rënie të lire. Sigurisht që edhe aty ka pengesa, sidomos ne stinën e Verës, që është një dukuri që ndodhë ku do. Jemi në bashkëpunim edhe me zyrën zvicerane në Kosovë,  e cila merret me trajtimin dhe me Qeverinë e Kosovës, ku ata i kanë bërë disa përgatitje, megjithëse nuk është për t’u zërë bese, ngade që 10 vite na mbajnë me premtime te tilla. Ata pretendojnë që ta fusin në përdorim këtë fabrikë te ujit. Dhe nëse hyn në përdorim, mund të bëhet një zgjidhje. Mirëpo, prapë nuk mund të themi se është zgjidhje përfundimtare, për shkak se niveli i ujit në stinën e verës bie dhe nuk ka mundësi që të

përfshihen të gjitha fshatrat me këto dy burime te ujit. Por, ne i kemi edhe planet tona që me provuar nëpërmjet shpimeve, puseve që hapen në mënyrë që ti furnizojmë të gjithë

EO: Një tjetër çështje, që do të doja ta diskutonim është Lumi Lepenc. Ende vazhdon të mos jetë i rregulluar shtrati nëpër të cilin kalon Lumi. Çfarë ka ndodhë me këtë projekt?

Suma: Ky është një projekt madhor, që edhe po të donim ta realizonim me buxhet të komunës nuk do të mundnim, për shkak se buxheti i Komunës është i vogël dhe është e pamundur që me një buxhet Komunal të kemi këso  projekte, sidomos shtratit e lumenjve, për shkak se është një projekt që kushton miliona euro. Ne, jemi në bisedime me Bankën Botërore dhe ka qenë e planifikuar që këtë vit ata kanë bërë një plan të fizibilitetit dhe përmes kredive me garancinë të Qeverisë së Kosovës ata e kanë marrë përsipër që të rregullojnë shtratin e ujit. Mirëpo, kjo pandemi e ka stagnuar pak, nuk e di ku kanë arritur ata, meqenëse nuk është kjo çështje e jona. Ata janë në bisedime me Qeverinë. Ky projekt është i kushtueshëm dhe ne i presim, megjithëse është e përfshirë dhe Banka Botërore ne besojmë që do të përfundojë, mirëpo nuk mund të premtojmë se kur, sepse kur nuk i ke mjetet vetë nuk mund të garantojmë.

EO: Sa do të ndikojë buxheti i shkurtuar në realizimin e projekteve në Komunën tuaj?

Suma: Të hyrat në vitin 2020, duhet të jemi real se nuk janë të njejta, pasi që ka ndikuar pandemia shumë, ku një pjesë e ekonomisë nuk ka funksionuar disa muaj, ku disa biznese nuk kanë punuar dhe gjithçka ka qenë e paralizuar dhe shumë e  vërtetë që mbi 300 milion euro  janë më pak në nivel shtetëror që kanë pësuar humbje Ne e dijmë që sipas përllogaritjes që janë bërë nga Ministria, do të  ketë vetëm për Komuna mbi 7 milion euro më pak,  dhe kuptohet se të gjitha këto Komuna i prek ky buxhet më i vogël dhe i penalizon në realizimin e  projekteve kapitale. Mirëpo,  vetëm për Hanë të  Elezit për vitin 2021, parashihet të jetë një buxhet  diku 70 mijë euro më i vogël, mirëpo  neve më shumë na ka dëmtuar  edhe përfundimi i një vendimi i ligjit që qysh në Qeverinë e kaluar para katër vitesh ku thuhet që komunat e vogla, që janë  ndër 22 mijë banorë të përfitojnë grand shtesë ose buxhet shtesë, ne vetëm me atë vendim kemi pasur nga 300-350 mijë më tepër, ndërsa që një vit , nuk e kemi atë buxhet. Shkurtimi buxhetor do të ketë pengesa për vitin e ardhshëm.  Mirëpo, fatmirësisht që ne infrastrukturën dhe çështjet kyçe i kemi të përfunduara, dhe nuk na pengon shumë në infrastrukturë,mirëpo na pengon në çështjet  e tjera zhvillimore për shkak se jemi  në realizim, të projekteve madhore që kushtojnë me qindra mijëra euro.

EO: Sa ka ndikuar pandemia në komunë tuaj?

Suma: Normalisht që pandemia ka ndikuar në nivel Global ashtu dhe tek ne. Ne, e kemi fabrikën e Cimetos që është Shar Cem, që është një fabrikë  që punëson numër më të madh dhe kemi fabrikën Kosova Plast dhe të tjera, mirëpo ajo çka neve na e zvogëlon buxhetin sikur,  nëpër shumë Komuna tjera, me vendim të Kuvendit  kemi bërë lirim nga taksat  dhe zbritje për shembull, për çdo  biznes që ekziston në Komunën tone, kemi liruar për tre muaj  nga lirimi i taksave , kurse qiratë të cilat  i shfrytëzojnë tokat, i kemi liruar për gjashtë muaj. Ndoshta nuk është  shumë e madhe, mirëpo, do të ketë zvogëlim të të hyrave komunale. Gjithashtu, komuna e Hanit të Elezit ka mbi 300 punëtorë të cilët punojnë në Maqedoni dhe për shkak të gjendjes dhe tre muaj sa nuk kanë pasur mundësi që të punojnë, kuptohet që ka ndikuar direkt tek ta, fatkeqësisht.

Të ngjashme