Hapen themelet e murit të ri në Mitrovicë

Prishtinë | 09 Shk 2017 | 08:21 | Nga

Kanë vazhduar punët për ndërtimin e sheshit në rrugën “Mbreti Peter I” në veri të Mitrovicës, të mërkurën. Punëtorët e kompanisë nga Zveçani kanë filluar vendosjen e pllakave, si dhe kanë hapur themelet për murin e ri, konstruksion me elemente betoni, i ngjashëm me atë që kryetari i Mitrovicës, Goran Rakiq, e kishte vendosur pas largimit të barrikadës mbi urën e Ibrit

Të mërkurën kanë vazhduar punimet në ndërtimin e sheshit në veri të Mitrovicës, që në fakt me projekt është zonë e këmbësorëve. Zona e këmbësorëve, e cila ka filluar të ndërtohet në fund të rrugës kryesore të Mitrovicës së Veriut “Mbreti Peter I”, parashikohet të përfundojë paralelisht me revitalizimin e urës së Ibrit, pas të cilave edhe ura do të hapet për qarkullim të automjeteve dhe të qytetarëve.

Mediet në veri të Mitrovicës thonë se nëse gjithçka përfundon me kohë, edhe revitalizimi i rrugës “Mbreti Peter I” e edhe revitalizimi i urës së Ibrit, sipas projektit të financuar nga BE-ja, atëherë ura e Ibrit do të hapet më 28 shkurt 2017.

Të mërkurën ka filluar vendosja e pllakave në zonën e këmbësorëve, pasi që gjatë ditës së djeshme vendi është rrafshuar dhe është nivelizuar, si dhe janë hapur themelet për konstruksionin e ri me elemente betoni, që në fakt është një mur i ngjashëm me atë që kryetari i Mitrovicës, Goran Rakiq, e kishte vendosur pas largimit të barrikadës prej zhavorri mbi urën e Ibrit. (Zeri)

Të ngjashme