Nis me kohë procesi i votimit në Podujevë

Podujevë | 29 Nën 2020 | 07:27 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Tashmë janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale që janë duke u mbajtur në komunën e Podujevës ku gjithsej 87 mijë e 381 votues do të kenë mundësinë e votës në Podujevë, raporton Ekonomia Online.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, 87 mijë e 381 votues do të jenë në Podujevë.

Numri i qendrave të votimit në Podujevë do të jetë 45 ndërsa ai i vendvotimeve do të jetë 115.

Ndërsa në shkollën “Naim Frashëri” janë 3390 vetë dhe katër dhoma vendvotime.

Skender Haxhiu, menaxher i qendrës së votimit “Shkolla Naim Frashëri” tha se gjithçka shkuar në rregull sa i përket procesit të hapjes së vendvotimit.

“Në qendrën e votimin te shkollën ‘Naim Frashëri vendvotimi është hapur me kohë dhe i kemi të regjistruar që do të marrin pjesë në votim 3390 votues me 4 dhoma vendvotime. Gjithçka ka shkuar në rregull kanë filluar të vijnë votues dhe po presim një mbarëvajtje të procesit zgjedhor”, tha Haxhiu.

Gjithashtu edhe në qendrën e votimit, shkolla “Shaban Shala” në Podujevë, gjithçka ka nisur pa asnjë incident.

Menaxheri i kësaj pike të votimit, Sabri Rudari, tha se janë pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme.

“Gjithçka ka filluar në kohë dhe pa asnjë problem. Këtu të drejtë vote kanë 3072 votues. Ne jemi pajisur po ashtu me maska e me mjete dezinfektuese”, tha Rudari për Ekonomia Online.

Për qytetin e Podujevës garojnë: Naim Fetahu nga Partia Demokratike e Kosovës, Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Të ngjashme