Hapet Panairi i Karrierës, u ofrohet mundësi punësimi personave me aftësi të kufizuara

Prishtinë | 15 Tet 2019 | 11:36 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shoqata Down Syndrome Kosova në bashkëpunim me në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në emër të Qeverisë Gjermane organizon “Panairin e Karrierës: takimi i punëdhënësve me punëkërkuesit”, raporton Ekonomia Online.

Ky panair zhvillohet në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese për punësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Kumrije Kelmendi-Aliu nga GIZ Kosova, tha se me këtë ngjarje synojnë të ngrisin nivelin e punësimit të personave me aftësi të kufizuar dhe me Down Sindrome.

“Kemi arritur për herë të parë të organizojmë një ngjarje të tillë. Kjo ngjarje do ketë kurorëzim tË suksesshëm që këta persona me aftësi të kufizuar dhe me Down Syndrome të gjejnë vende të punës Programi, rinia dhe punësimi ka për qëllim rritjen e numrit të të punësuarve. Kemi bërë ngritjen e kapaciteteve ku 30 të rinj janë punësuar në gastronomi dhe administratë. Këtë vit së bashku me ekspert vendorë e ndërkombëtarë kemi arritur të vazhdojmë tani janë 30 të rinj nga Down Syndrome po trajtohen në organizata te ndryshme”, tha ajo

Kelmendi- Aliu, theksoi që është e rëndësishme që këta persona të jenë pjesë aktive e tregut të punës.

Kosovare Bunjaku, nga Down Syndrome Kosova, theksoi qe sot kanë të pranishëm më të mirët, personat me aftësi të kufizuar e Down Syndrome.

“Ka qenë sfidë të realizohet diçka e tillë. Ka qenë kënaqësi të bësh diçka në emër te kauzës. Kemi identifikuar anëtarët që janë të gatshëm. Për punë pastaj i kemi dërguar në trajnime, kemi bërë përshtatshmërinë e tyre me punëdhënës varësisht nga shkathtësitë e tyre. Sot kemi prezent më të mirët ata që kanë refuzuar me qenë të stigmatizuar” u shpreh ajo.

Iliriana Geci bëri prezantimin e punësimit te personave me aftësi të kufizuar.

“Dëmtime  s’janë ato që e bëjnë personin me aftësi te kufizuar. Të drejtat e personave me aftësi të kufizuara nuk janë pranuar, është parë si sëmundje, si diçka që duhet të trajtohet. Sot kjo situatë ka filluar të ndryshojë, nuk shihet  si sëmundje, dëmtim, por si diçka që mund t’i ndodh secilit në jetë. Një në 7 persona në botë është me aftësi të kufizuar. Në Kosovë janë mbi 150 mijë persona me aftësi të kufizuar” tha ajo, raporton EO.

Sipas saj, vetëm një numër i vogël i personave me aftësi të kufizuara e Down Syndrome ja dalin të punësohen.

Ajo tregoi se disa persona që janë me nevoja të veçanta e të cilët kanë gjetur vende pune dhe janë parë përtej aftësisë së kufizuar, por janë ndalur në faktorin aftësi.

“Rinori për shumë vjet ka qenë aktivist, sot aktivisti më i fortë punon tash në gjirafë dhe është vlerësuar për dy vjet. Aftësitë që shpalos janë që secili do kishte dëshire t’i kishte. Aftësia nuk vjen në shprehje përballë aftësive të punës. Luma një vajzë e verbër që përfundoi studimet me shumë vështirësi për shkak të mungesë s së literaturës, por ajo me ndihmën e nënës e ka përfunduar studimet,  tani punon në Radio Kosovë”, tregoi ajo.

Geci tha se në bazë te ligjit çdo institucion duhet të punësojë një person me aftësi të kufizuar.

Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar tregoi për disa nga sfidat që përballen personat me aftësi të kufizuar.

“Kemi sfidë bazike , moszbatueshmëria e ligjit që është në kundërshtim me Kushtetutë, paragjykimet sfida e dytë. Vazhdimisht synojmë të fuqizojmë të drejtat e personave ne lidhje me punësim, se pa këtë s’mund të kemi zhvillim të drejtë”, tregoi ai.

Mesazhi i tij është të zbatohet ligji pasi personat me aftësi të kufizuara janë të gatshëm të punojnë.

Jehona Rexha, përfaqësuese nga Agjencia e Punësimit në Kosovë, tha se qendrat e tyre i plotësojnë kushtet edhe për personat me aftësi të kufizuara.

“Ne merremi me personat që janë të regjistruar si të papunë apo punëkërkues, të gjithë atë që i njohin t’i shtyjnë të regjistrohen. Edhe njerëzit me pa ose me aftësi të kufizuara të bashkëpunojnë në baza të barabarta. Qendrat tona i plotësojnë kushtet edhe për personat me aftësi të kufizuara”, tha ajo.

Gent Bakija nga Korporata Rugova tha se është kënaqësi me punu me persona të tillë.

“Besniku ka pesë vjet qe është punësuar dhe çdo ditë na befason është i pari që vjen në punë i pret mirë mysafirët, është bërësi më i mirë i makiatos”, theksoi ai, raporton EO.

Aldi Hoxha, anëtar i Down Syndrome Kosova, i punësuar në një biznes tregoi një rrëfim të suksesshëm për të rinjtë me Down Sindrome.

Ai tregoi se si është të jesh i punësuar, të jetë i barabartë me të tjerët.

“Ne bëjmë kartolina, punojmë mjaltë dhe shesim. Bëjmë çaj, kafe”, tregoi Aldi, duke thënë se puna që e bënë i pëlqen shumë.

Të ngjashme