Haradinaj akuzohet për ndërhyrje në procesin e akreditimit

Prishtinë | 16 Kor 2019 | 08:06 | Nga Ekonomia Online

Paralajmërimi i kryeministrit Ramush Haradinaj se do të ndërmarrë hapa në lidhje me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për tërheqjen e akreditimit të universiteteve publike të Mitrovicës, Pejës dhe Prizrenit, të cilin e ka quajtur “të papranueshëm”, ka nxitur reagime të shumta nga njohësit e çështjeve të arsimit.

Veprimet e paralajmëruara të kryeministrit janë quajtur të paligjshme dhe në shpërputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Agjencitë e Pavarura, shkruan sot “Koha Ditore”.

KShC në mbledhjen e 74-t të mbajtur të hënën vendosi në favor të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, të cilët rekomanduan që t’u tërhiqet akreditimi institucional për vitin akademik 2019/2020. Me këtë vendim Universiteti Publik i Mitrovicës, Universiteti i Pejës dhe Universiteti i Prizrenit nuk do të mundë të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik.

Ekspertët ndërkombëtarë të Asociacionit Evropian të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) ishin angazhuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim për vlerësim institucional dhe të programeve të universiteteve publike dhe kolegjeve private.

Këtë vendim të papranueshëm e ka quajtur kryeministri Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka paralajmëruar masa.

“Është i papranueshëm vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mbylljen e tri universiteteve publike; atij në Pejë, në Mitrovicë dhe në Prizren”, ka shkruar Haradinaj. Ka thënë se e konsideron të padrejtë mohimin e mundësisë për regjistrim të studentëve.

“Ndaj këtij rasti do të veprojmë menjëherë, duke ndërmarrë hapa konkretë në zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar ai.

Reagimi i kryeministrit Haradinaj, sipas Dukagjin Pupovcit, nga Qendra Kosovare për Arsim (KEC), mund t’i kushtojë Agjencisë për Akreditim me përjashtim nga Rrjeti Evropian i Agjencive për Sigurimin e Cilësisë (ENQA). Pupovci ka thënë për Koha.net se kur kishte reaguar kryeministri herën e fundit në vitin 2017, në lidhje me procesin e akreditimit, Agjencia e Akreditimit është përjashtuar nga EQAR-i, ndërsa statusi në ENQA është degraduar nga “anëtare e plotë” në “agjenci nën vëzhgim”.

“Tani, nëse Qeveria vepron në kundërshtim të këtij vendimi, duke e cenuar pavarësinë e Agjencisë së Akreditimit, unë mendoj që do të pasojë edhe përjashtimi nga ENQA, që do të thotë një lloj goditjeje e plotë e arsimit të lartë në Kosovë nga hapësira evropiane e arsimit të lartë”, ka thënë ai.

Pupovci e sheh të domosdoshme tërheqjen e kryeministrit dhe ministrave nga punët e Agjencisë pasi që konsideron që një gjë e tillë është e papranueshme.

“Kryeministri dhe ministrat e tjerë do të duhej të tërhiqeshin nga këto plane të veta që të ndërhyjnë në punën e Agjencisë, sepse kjo është e papranueshme për çdo vend evropian dhe do të duhej të respektohej pavarësia e këtij institucioni, i cili këtë herë edhe është emëruar nga Kuvendi i Kosovës”, tha ai.

Pupovci ka thënë se për t’i diskutuar hollësitë e vendimit të KSHC-së duhet pritur derisa të publikohet raporti i ekspertëve.

“Më shumë do të dihet kur t’i kemi në dispozicion raportin e grupit të ekspertëve, të cilin nuk besoj ta ketë parë dikush përveç Agjencisë edhe vetë universiteteve. Por po besoj që kërkohet përmbushja e këtyre kritereve bazike që kanë të bëjnë me stafin akademik”, thotë ai.

Sipas Pupovcit, asnjëri nga universitetet publike në vend, përveç atij të Prishtinës, nuk është themeluar duke ndjekur ndonjë rrugë të përgatitjeve, siç është e zakonshme me rastin e themelimit të universiteteve të tilla. Ai thotë se themelimi i këtyre universiteteve është bërë shpejt e shpejt në kohë të fushatave zgjedhore dhe me qëllim të përfitimit të votave.

“Edhe pasi janë themeluar këto universitete, subjektet politike nuk janë kujdesur që ato t’i adresojnë këto probleme të cilësisë, por kanë qenë të kënaqura me faktin që i kanë themeluar dhe i kanë fituar votat, tani thjesht po vjen fatura për një veprim të tillë të pamenduar mirë”, thotë ai.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) ka reaguar pas postimit të kryeministrit duke thënë se është e shqetësuar me, siç shkruan në kumtesë, nivelin e ulët të informimit të kryeministrit dhe zyrës së tij lidhur me çështjen e mosakreditimit institucional të tri universiteteve publike.

ORCA sqaron se mosakreditimi institucional do të thotë pamundësim i regjistrimit të studentëve vetëm për këtë vit, ndërkohë që këto institucione do të vazhdojnë të punojnë normalisht madje duke u përgatitur për aplikim për akreditim sërish vitin e ardhshëm.

Kjo organizatë ka shkruar se Haradinaj në vitin 2018 “ia ka dhuruar” Kosovës përjashtimin nga EQAR-i dhe degradimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditimin në Asociacionin Evropian ENQA, nga “anëtar” në “anëtar nën vëzhgim”. Sipas tyre, kjo ka ndodhur si pasojë e kërkesës që ia ka bërë ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, për ta shkarkuar Bordin e kaluar të Agjencisë.

“Si rrjedhojë, Agjencia e Kosovës për Akreditim në shtator të këtij vitit do ta marrë vendimin përfundimtar për vazhdim apo jo të anëtarësisë në ENQA. Ndërhyrja e sotme nga kryeministri, e dyta me radhë, qoftë edhe si deklaratë, tashmë e rrezikon Agjencinë për përjashtim nga asociacioni evropian ENQA”, shkruan ORCA.

ORCA deklaroi se veprimet a paralajmëruara të kryeministrit, çfarëdo qofshin ato, do të jenë të paligjshme dhe në shpërputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Ligjin për Agjencitë e Pavarura.

Një konferencë për shtyp, pas vendimit të KSHC-së e ka mbajtur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, i cili ka thënë se Këshilli nuk ka pasur të drejtë të marrë vendime për shkak se kohë më parë Agjencia Antikorrupsion ka ngritur dyshime për parregullsi në lidhje me përbërjen aktuale të tij.

“Këto nuk janë vendime të MASHT-it, sepse Agjencia e Akreditimit dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë marrin vendime sipas ligjeve në fuqi. Më duhet të sqaroj se ne kemi pasur një shkresë, e cila ka ardhur nga Agjencia Antikorrupsion, ku disa çështje të cilat janë ngritur në këtë shkresë AKA-ja dhe KSHC-ja kanë pasur nevojë t’i qartësojnë. Në shkresën e Agjencisë Antikorrupsion thuhet se ka pasur shkelje në përbërjen aktuale të KSHC-së dhe ne iu kemi drejtuar KSHC-së në mënyrë që këto çështje të qartësohen dhe kemi kërkuar që të mos kenë vendimmarrje deri në zgjidhjen e këtyre problemeve”, ka thënë Bytyqi, raporton Koha.net.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se, në mbledhjen e së premtes, të datës 12 korrik 2019, të cilën e ka mbajtur KSHC-ja dhe për të cilën MASHT-i është njoftuar vetëm përmes shkresës që ka ardhur të dielën nga kryetari i KSHC-së, është thënë se, pas marrjes së letrës nga Ministria e Arsimit, KSHC-ja ka marrë vendim që të presë sqarime shtesë nga Agjencia Antikorrupsion dhe të mos ketë ndonjë vendim deri më 22 korrik 2019.

Ministri Bytyqi ka vlerësuar se vendimi që të hënën e ka marrë KSHC-ja, nga i cili vendim janë prekur tri universitete publike, bie në kundërshtim me vendimin që ky institucion e ka marrë të premten.

“Pasi që kemi një kundërshtim të vendimeve nga KSHC-ja, gjegjësisht Agjencia Kosovare e Akreditimit, presim që kjo çështje të adresohet në Qeveri, për të parë se cilët do të jenë hapat e mëtutjeshëm”, ka thënë Bytyqi.

Kujtojmë se KSHC-ja sot nuk i ka akredituar për vitin akademik 2019-2020 Universitetin Publik të Mitrovicës, atë të Pejës dhe Universitetin e Prizrenit. Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Të ngjashme