Haradinaj e Bytyqi diskutuan me ambasadorin Heldt për zhvillimet e arsimit në Kosovë

Prishtinë | 06 Dhj 2018 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri, Ramush Haradinaj dhe ministri i MAShT, Shyqiri Bytyqi kanë zhvilluar një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Kristian Heldt, si dhe udhëheqësin e projektit CDBE të GIZ, Boris Scharlowski, u kanë biseduar për zhvillimet në arsim, prioritet në këtë sektor si dhe bashkëpunimin me GIZ–in, në realizimin e objektivave.

“U theksua nevoja e angazhimit permanent të të gjithë faktorëve në përmirësimin e arsimit, rëndësinë e krijimit të shkollave kampione sipas modelit gjerman, menaxhimi i shkollave, gjithëpërfshirja dhe përmirësimi i rolit të mentorëve, me qëllim që të kemi një diplomë të konkurrueshme me shtetet e BE-së”, ka shkruar Bytyqi në Facebook.

“Bashkë me kryeministrin falënderuam ambasadorin Heldt dhe Scharlowski për kontributin e shtetit gjerman dhe organizatës GIZ, në ngritjen e cilësisë së arsimit, si një nga prioritetet kryesore të Qeverisë”.

“Në këtë takim diskutuam edhe për rritjen e buxhetit për 12 për qind për vitin 2019, si hap i parë në përmirësimin e arsimit në vend. Gjatë këtij takimi, gjithashtu folëm edhe për nevojën e angazhimit maksimal për zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional dual (ndërlidhja e mësimit teorik me atë praktik) sipas modeleve dhe praktikave gjermane dhe të vendeve tjera evropiane”, ka shkruar ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme