Haradinaj: E dhimbshme se çfarë dite paska ardhur, dita për të dështuar marrëveshjet me kompani amerikane

Prishtinë | 17 Mar 2020 | 20:12 | Nga Ekonomia Online

Shefi i GP të AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë Kurti për dështimin e zbatimit të marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Kosovës së Re. Contour Global ka dhënë disa arsye për tërheqje, e ndër to është edhe ndryshimi i pushtetit në Kosovë.

“E çuditshme dhe shqetësuese të dëgjosh e lexosh deklarime politike nga përfaqësuesit institucional e politik me përplot ngazëllim, kur tregojnë për “suksesin” e tyre politik që ka të bëj me dështimin e një projekti investues nga kompania amerikane “Contour Global” në vlerë 1.3 miliardë euro. Përfaqësuesit aksidentalë të institucioneve nga radhët e LVV-së, sot paraqiten të lumtur e plot gëzim që kanë arritur ta kthejnë në dështim një projekt investues amerikan. E dhimbshme se për çfarë paska ardhur dita. Po flasim për largimin e kompanisë amerikane “Contour Global” nga projekti për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re””, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka vënë në pikëpyetje marrëdhëniet SHBA-Kosovë pas prishjes së kësaj marrëveshje, duke thënë se askush nuk guxon ta rrezikojë raportin me aleatin e Kosovës, SHBA-në.

“Sot, energjia elektrike dhe sigurimi i qëndrueshëm i burimeve energjetike vlerësohet të jetë interes nacional dhe pjesë integrale e qarkut të sigurisë nacionale, prandaj është me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit tonë që të mos lejojme të devijojmë nga projeksionet strategjike të kryeqendrës primare, që në vazhdimësi ka siguruar mbështetje për paqe, siguri e zhvillim për Kosovën – Uashingtoni, SHBA-të. Thirrni mendjes sepse pak si tepër keni rënë pre e dezinfomimit dhe agjendave pro-ruse. Devijimi nga interesat nacionale të Kosovës dhe SHBA-ve, është i patolerueshëm dhe nuk do të lejohet në asnjë rrethanë vazhdimi i cenimit të raporteve me aleatin tonë të përhershëm dhe strategjik, SHBA-të”, ka thënë në fund Haradinaj.    

Të ngjashme