Haradinaj: Emri i Maxhun Çekajt nderon çdo hero shqiptar

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 11:35 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj, bashkë me ministrin e Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kanë marrë pjesë në shënimin e 92 vjetorit të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Maxhun Çekaj” në Irzniq të Deçanit, raporton Ekonomia Online.

Programi i ditës së kësaj shkolle, fillimisht nisi me himnin të kënduar nga nxënësit, ndërsa me pas u shfaq edhe një dokumentar duke kujtuar heroizmin, jetën dhe veprën e Maxhun Çekajt.

Kryeministri i vendit tha se Çekaj ishte vlera më e madhe që duhet ruajtur dhe treguar brezave të rinj.

“Në këtë objekt kanë ndodhë shumë ngjarje me peshë, janë strehua me ditë të tëra luftëtarë të zotë e dëshmorë. Këtu kanë kalua breza e breza që i kanë taku gjeneratave të kundërshtarëve të regjimit jugosllav. E vërtetë është që nga e 74-të fituam të drejtë më shumë, edhe pas 74 kishim imponime, kjo shkollë mban një emër të respektuar, një vlerë të këtij vendi, që askush me mijëra vjet nuk mundet me e kontestua. Maxhun Cekaj ishte një njeri me vlerë të madhe njerëzore, ishte një edukatorë shembull, por u kthye në prin për luftëtarët e rinj, pasi i edukoi ata dhe nuk i la vetëm. Emri Maxhun Cekaj nderon çdo hero shqiptarë”, tha kryeministri Haradinaj

Haradinaj ndau edhe medalje për shkollën që e mbanë emrin “Maxhun
Çekaj”.

Ndërsa ministri Bytyqi kujtoi nxënësit e kësaj shkolle, tashmë heronj të Kosovës, e në veçanti profesorin, intelektualin dhe komandantin, Maxhun Çekaj, emrin e të cilit e mban kjo shkollë me vendimin e tij të një viti më parë.

“Ajo çka na obligon, veçanërisht mësimdhënësit, që përtej angazhimit dhe përkushtimit për edukimin e brezave të rinj, ta kenë edhe një angazhim shtesë, që t’ia shtojnë krenarinë kësaj ane, me ofrimin e një edukimi më të mirë”, tha Ministri dhe theksoi se të rinjtë tanë duhet të përgatiten për udhëheqje dhe zhvillim të vendit tonë.

Ministri Bytyqi theksoi se MAShT, në përkrahje të plotë nga Qeveria e Kosovës, është e angazhuar shumë seriozisht, që jo vetëm të përkrahë çdo institucion arsimor në Kosovë me infrastrukturë sa më të mirë, por edhe në ngritjen e cilësisë, në mënyrë që të rinjtë tanë të marrin dijen dhe shkathtësitë e nevojshme.

Në këtë ceremoni, drejtuesit e shkollës, i kanë ndarë mirënjohje ministrit Bytyqi për angazhimin e tij të vazhdueshëm që kjo shkollë të ketë kushte sa më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Drejtori i shkollës “Maxhun Çekaj”,  Mehdi Dodaj, tha se emri i dëshmorit është skalitur me shkronja të arta.

Ndërsa, drejtori i Drejtorisë Komunale, Bekim Bishaj, Maxhun Çekajn e kujtoi si edukator dhe model për të tjerët.

“Për juve është ditë e veçantë sepse është ditëlindja e Maxhun Mal Cekaj. Shkolla jonë shqipe ka histori sa të dhimbshme aq edhe krenare. Emërtimi i kësaj shkollë brezave që vinë u tregon se sa e respektuam dhe duhet respektojmë historinë tonë shqiptare. Ishte edukator dhe model për të tjerët, Kosovën e deshi shumë”, tha ai

Kujtojmë se Maxhun Çekaj është vrarë nga forcat serbe në korrik të vitit 1998.

Fotografia e Shyqiri Bytyqi
Fotografia e Shyqiri Bytyqi


Fotografia e Shyqiri Bytyqi


Fotografia e Shyqiri Bytyqi


Të ngjashme