Haradinaj: Enver Zymberi ra duke e mbrojtur Kosovën e pavarur

Prishtinë | 26 Kor 2018 | 10:35 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e përvjetorit të shtatë të rënies së Heroit të Kosovës, Enver Zymberi, ceremonia përkujtimore ka filluar me vendosjen e kurorave me lule te lapidari i tij, në kompleksin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i shoqëruar nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Abdulselami Shkodra, sot ka bërë homazhe te lapidari i Heroit Zymberi.

Para menaxhmentit të lartë të Policisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj nderoi veprën heroike të Enver Zymberit.

“Lavdi për Enverin, lavdi për veprën dhe sakrificën e tij”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka shprehë nderimet më të sinqerta për familjen e policit të rënë në detyrë, Heroit të Kosovës, Enver Zymberi, në shtatë vjetorin e rënies së tij në krye të detyrës dhe në mbrojtje të kufijve të atdheut, të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në veriun e Kosovës.

“Enver Zymberi ra duke e mbrojtur Kosovën e pavarur. Lavdi”, tha kryeministri Haradinaj.

Enver Zymberi, ndërroi jetë më 26 korrik 2011, si rezultat i plagëve të marra nga sulmi i turmave të dhunshme që tentuan të bllokonin vënien e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pikat kufitare në veri të Kosovës.

Pritet që në orën 11:00 të bëhen homazhe te varrezat e fshatit Dubovc në Vushtrri, ndërkaq pas kësaj kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do ta vizitojë familjen e Heroit Zymeri.

Të ngjashme