Haradinaj: Kërkesat e SBAShK-ut janë obligim moral, por kërkojnë kohë

Prishtinë | 20 Shk 2018 | 15:15 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), të kryesuar nga kryetari Rrahman Jasharaj, për të diskutuar kërkesat e këtyre të fundit si dhe për mundësinë e zbatimin e tyre.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj nuk është prononcuar për medie. Por, në një komunikatë për medie, Haradinaj citohet të ketë thënë se greva e nisur ditë më parë nga punëtorët arsimorë për zbatimin e kërkesës për njohjen e statusit të mësimdhënësve të viteve 1990-të, është e drejtë e tyre dhe se Qeveria këtë e sheh si obligim moral që duhet përfunduar, e jo si formë presioni.

Përfaqësuesit e Sindikatës kërkuan që sa më parë të gjendet një formulë dhe të fillojnë së zbatuari kërkesat e tyre. Nga ana tjetër Kryeministri Haradinaj tha se “Qeveria është duke i trajtuar me seriozitet kërkesat e sindikatave të Arsimit. Zgjidhja dhe zbatimi i kërkesave tuaja është çështje të cilën po e trajtojmë me kujdes dhe përkushtim, por kjo çështje kërkon kohë”.

Në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ishin edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi dhe ministri i Financave, Bedri Hamza.

Rrahman Jasharaj i SBAShK-ut tha se edhe sot kanë mbajtur grevë dyorëshe si rezultat i mosplotësimit të kërkesave të cilat ata ua kanë adresuar Qeverisë.

Greva është mbajtur në dy orët e para të mësimit të paradites dhe në dy orët e para të mësimit të pasdites në të gjitha shkollat e Kosovës, kurse universitetet do të jenë në grevë nga ora 10 deri në orën 12.

Edhe javën e kaluar ishte mbajtur grevë njëorëshe në të gjitha shkolla e vendit.

Paradite Jashari kishte thënë se nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh atëherë do të shkojnë në grevë në kohë të pacaktuar. “Nëse Qeveria nuk vepron atëherë me 24 shkurt është kongresi dhe kam frikë që kongresi do të më obligojë që të mbajë grevë të pacaktuar madje edhe protesta”.

Gjatë fushatës zgjedhore, SBAShK-ku kishte  nënshkruar marrëveshje me liderët e PAN-it, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli. Mes tjerash, marrëveshja parashihte që Kontrata Kolektive të implementohet tërësisht. Sipas Kontratës, për mësimdhënësit parashihet të paguhen shpenzimet e rrugës, shujtat etj., kurse për mësimdhënësit që pensionohen të marrin tri paga përcjellëse.

Të ngjashme