Haradinaj kërkon të krijohet një fond për ushtrinë, ku qytetarët do të mund të kontribuojnë me donacione

Prishtinë | 27 Shk 2022 | 14:42 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një bisedë për Ekonomia Online, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes të iniciojnë një projektligj, me të cilin do të krijohej një fond për forcimin e kapaciteteve të FSK-së për mbrojtjen e Kosovës.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka riaktualizuar këtë kërkesë pas ngjarjeve në Ukrainë, që treguan sa është e nevojshme që një vend si Kosova, e cila ka një vend fqinj – Serbinë tepër të militarizuar, ta forcojë mbrojtjen e vet.

“Unë kam kërkuar nga Qeveria, nga kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes që ta sjellin në Parlament një ligj, i cili me sa di unë veç është i gatshëm, për krijimin e një fondi për ushtrinë, për mbrojtje, ku njerëzit do të mund të kontribuonin me donacione, që do ta përshpejtonte kompletimin e nevojave të Kosovës në mbrojtje, pra të ushtrisë tonë”.

Megjithëse, situata në rajon nuk është stabile, Haradinaj thotë se Kosova ka fat që kufijtë e saj i mbrojnë NATO-ja, e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Rajoni i Ballkanit nuk është aq stabil, pra nuk mund të konsiderohet stabil. Por fati i madh i yni është se kemi ushtri të NATO-së, të prira nga Amerika, të cilat e mbrojnë edhe kufirin e Kosovës. Ky është një fat i madh”, tha Haradinaj.

Në një deklarim të mëhershëm, Haradinaj kishte vlerësuar se Ushtrisë së Kosovës i duhet 10 miliardë euro buxhet, që të rrisë nivelin e fuqisë ushtarake, dhe të mund “të barazohet me agresorin e djeshëm”.

Pas votimit të ligjit në Kuvendin e Kosovës me të cilin do të legjitimohej krijimi i këtij fondi, Haradinaj ka thënë se pret donacione nga të gjithë shqiptarët kudo që janë, në trojet e veta etnike apo diasporë, para të cilat do t’i mundësonin Ministrisë së Mbrojtjes rritjen e teknikës ushtarake.

Të ngjashme