Haradinaj: Mburrem me të arriturat dhe sukseset e Policisë së Kosovës, mbështetja vazhdon

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 10:29 | Nga Nexhmie Hyseni Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Inspektorati i Policisë së Kosovës, ka shënuar 13-vjetorin e themelimit. Në këtë ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri Ramush Haradinaj, i cili tha se mburret me sukseset e Policisë së Kosovës, raporton EkonomiaOnline.

Ai inkurajoi këtë institucion që të kryejë detyrat me përgjegjësi të plotë, teksa tha se Qeveria që ai udhëheq do të vazhdojë mbështetjen për Policinë e Kosovës.

“Mburrem me Policinë e Kosovës, me profesionalizmin. Do të vazhdojmë të përkrahim Policinë e Kosovës. Synojmë të përforcojmë edhe IKP-në. Kemi shumë sfida duke përfshirë edhe korrupsionin, papunësinë, multietnicitetin. Mënyra më e suksesshme është që secili në mandatin e vet të punon suksesshëm. Kështu do të jemi të suksesshëm”, tha ai.

Haradinaj tha se për të forcuar shtetin në aspektin ligjor kanë bërë edhe rritjen e pagave prej 100 për qind për gjyqtarët dhe prokurorët, për të cilët tha se janë përgjegjës për të luftuar dukuritë negative në vend.

“Qeveria që e udhëheq ka ndërmarr veprime direke për të forcuar shtetin. Me guxim kemi vepruar për dyfishimin e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët. Por ky vendim është një dëshmi që populli i Kosovës e kupton punën e gjyqësisë. Do të rritim edhe më tutje stafin e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Topi është te prokuroria dhe gjyqësia. Ne përkrahim Policinë e Kosovës. Sytë janë kah policia dhe nga gjithë ne, ka kush na sheh. Në këtë mënyrë do të ecim përpara”, tha ai.

Kryeshefja Inspektoratit të Kosovës Miradie Kelmendi ka thënë se ky institucion është i përkushtuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit.

“Gjatë këtyre viteve kanë vijuar shumë suksese. Ka ngritje intensive në goditjen e krimit nga grupet e interesit. 59 zyrtarëve policorë të trafikut rrugorë  dhe 22 zyrtarë policorë të pikave kufitare. Kjo dëshmon përkushtimin tonë. Prokuroria mbetet aktorë me rëndësi në mbështetje për luftimin krimit dhe korrupsionit. Fal angazhimit të gjyqësorit rastet tona janë trajtuar me prioritet. Zotohemi se do të ecim përpara. Kjo forcë ka potencial për sundimin e Rendit dhe ligjit në tërë vendin”, tha ajo.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka ka thënë se Inspektorati ka ndërtuar ura bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave më vendet tjera. Zeka tutje shtoi se të arriturat e këtij institucioni janë fuqizimi i kapaciteteve dhe përkushtimi në raste serioze duke e bërë institucion serioz.

“Kosova si në shumë sfera ka përqafuar vlerat e shteteve demokratike në institucionet e sigurisë. Fuqizimi i kapaciteteve dhe përkushtimi në raste serioze, si rasti në veri e vendosin institucionit ne listën e institucioneve serioze. Me këtë seriozitet shpresoj të punohet në hetimin e keqpërdorimeve ne cilin do nivel të Kosovës. Inspektoriati ka ndërtuar ura bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave më vendet tjera në ndalimin e krimit të organizuar”, tha ai.

Prokurori Special, Sylë Hoxha, tha se Inspektorati Policor është një organizatë mjaftë profesionale. Tha se kanë bashkëpunim mjaftë të mirë, i cili duhet të vazhdojë tutje.

“Inspektorati policor është profisionalizuar, aftësuar. Jemi krenar me punën dhe angazhimin tyre. Meritat duke filluar nga Qeveria MPB, OSBE. Formimi i organizatës ka qenë investim shumë i mirë që sot jemi krenar. Prokuroria është mirënjohës sepse kemi pas bashkëpunim të jashtëzakonshëm”, tha ai.

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

Të ngjashme