Haradinaj, Mogherinit: Dialogu ka ngecur shumë kohë para taksës – mos i ndërlidhni këto dy çështje

Prishtinë | 13 Mar 2019 | 10:13 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka drejtuar një mesazh udhëheqëses së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Federica Mogherinit.

Përmes rrjetit social Twitter, Haradinaj i ka thënë Mogherinit se dialogu ka ngecur shumë kohë para se të vendosej taksa ndaj mallrave serbe. Ai po ashtu ka thënë se procesi i Dialogut nuk duhet të ndërlidhet me taksën.

“Dialogu kishte ngecur shumë kohë para se të vendosej taksa. Mungesa e transparencës, inkurajimi për shkëmbim territoresh dhe dështimi për të zbatuar marrëveshjet ekzistuese – këto janë arsyet. Dialogu mundet dhe duhet të vazhdojë pa e ndërlidhur atë me tarifën”, ka shkruar Haradinaj në Twitter.

Mogherini tha dje në New York se dialogu mund të vazhdojë vetëm duke e anuluar vendimin për vendosje të taksës ndaj mallrave serbe.

“Për vazhdim të plotë të bisedimeve, taksa e vendosur nga qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet. Atë ditë që hiqet taksa, menjëherë do të thërras një takim të ri për dialogun – për të arritur një marrëveshje ligjërisht obliguese, e cila do të adresonte të gjitha çështjet e diskutueshme dhe t’i normalizojë në plotni marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Mogherini para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.,

Megjithatë, ajo ka thënë se dialogu, ndonëse e ndërmjetëson atë, nuk i takon asaj, as Bashkimit Evropian e as tavolinës. “U takon atyre të gjejnë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dy palët. Në të njëjtën kohë, një marrëveshje finale do të bëhej përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Roli juaj do të ishte kyç – unë personalisht jam e gatshme – të intensifikojmë shkëmbimet tona me të gjithë anëtarët e KS të OKB-së për këtë temë”, deklaroi ajo.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme