Haradinaj në 21-vjetorin e masakrës së Studimes: Nuk duhet të ndalemi deri në dënimin e kryerësve të gjenocidit

Prishtinë | 02 Maj 2020 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Sot janë bërë 21 vjet nga masakra e Studimes, ku nga forcat serbe u pushkatuan 116 shqiptarë të pafajshëm brenda dy orëve.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët e kësaj masakre, duke thënë se martirët e masakrës së Studimes ranë duke kërkuar të drejtën për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën e tyre.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se gjaku i tyre obligon Kosovën, që të mos ndalet kurrë gjersa përgjegjësit e këtij gjenocidi të dalin para drejtësisë.

Postimi i plotë i Haradinajt:

“Me pietet kujtojmë sot martirët e masakrës së Studimes, të cilët ranë duke kërkuar të drejten për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën e tyre. Gjaku i derdhur i martirëve na obligon të mos ndalemi kurrë gjersa përgjegjësit e këtyre masakrave dhe gjenocidit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme të rënëve për lirinë e Kosovës!”, ka thënë Haradinaj.

Të ngjashme