Haradinaj në Tiranë: Konushevci e Mala kishin vizion për liri, planifikuan krejt rrugën deri te liria

Tiranë | 09 Maj 2018 | 12:11 | Nga Donika Osmani

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në akademinë përkujtimore, organizuar në Tiranë, në përvjetorin e rënies së dëshmorëve të kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Mala.

“Iliri vizionin për liri nuk e kishte kopje të askujt”, u shpreh kryeministri Haradinaj në 20-vjetorin e rënies së këtyre dy dëshmorëve.

Në këtë akademi përkujtimore morën pjesë edhe ministri i FSK-së, Rrustem Berisha; ministri i MPB-së, Bejtush Gashi; përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës; të shoqatave të dala nga lufta etj.

Kjo akademi përkujtimore është organizuar nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Haradinaj tha se nuk ka avancim më të çmuar dhe vlerë më të madhe sesa dikush që rrugëton deri në liri, për fëmijët, gratë e pambrojtura dhe flijimi në këtë rrugë shpjegohet me vlerën e këtij qëllimi.

“Fakti se mbledhemi në Tiranë në një akademi të tillë na tregon se bëhet fjalë për një situatë të veçantë, për një rrethanë të veçantë. Nuk janë të vetmit këta dy luftëtarë të veçantë…”

Kryeministri Haradinaj tha për Ilir Konushevcin se ishte një djalë i zoti dhe që vizionin për liri e kishte të thellë, jo sipërfaqësor.

“ Iliri ishte një djalë shqiptar, i urtë, i zoti, që vizionin për liri nuk e kishte kopje të askujt, të vetin, të familjes, e kishte të thellë, josipërfaqësor, buronte nga ai ky vizion për liri, e kishte kultivuar, ndërtuar, e ka përcaktuar si qëllim të vetin, ka qenë krijues i plot veprimeve deri te liria”.

“Bëhet fjalë për një idealist të lirisë. Vetë jam dëshmitar se Iliri përveç vizionit për liri, ishte planifikues i krejt rrugës tonë deri te liria, rrugë e përpjekjeve, veprimeve luftarake, resurseve dhe njëkohësisht zbatim. Pjesa e  zbatimit nuk ishte e lehtë”.

“Gjithë kohën Iliri ka qëndru mbi totalin e asaj ku e shihshim na si UÇK, luftimet në Kosovë kanë ndodhë me dinamika të ndryshme. Nëse sot do lironim një zonë, dhe mëngjesi na zinte, e nesërmja kërkonte një lëvizje të re, kërkonte teknikë, Iliri ka mbërri deri në ditën e rënies së vet, që ne mos me dështu në terren. Ai ishte i lidhur me zgjerimin e luftës në zonën e Dukagjinit”.

Kur foli për dëshmorin Mala, kryeministri Haradinaj tregoi se ai vinte nga një familje intelektuale, e cila ishte një bazë e fuqishme për UÇK-në, raporton EO.

“Haziri nuk është vetëm një djalë që veç e kapën emocionet dhe u bë pjesë e UÇK-së. Ishte një djalë intelektual, prej një familjeje intelektuale, nuk ishte rastësi. Familja e Hasir Malës ishte një bazë e fuqishme, e respektueshme për UÇK-në. A ka vlerë më të fortë, më të qëndrueshme, më sublime sesa ecja deri në liri për popullin tënd”.

“Rruga jonë për liri nuk ka qenë e lehtë, edhe atëherë ka pasë paqartësi dhe mjegull, vetëm në momente kyçe do vërtetohet se kush sa ka bërë në atë rrugë të lirisë së plotë, jo këto që thuhen çdo ditë, na kanë thënë edhe atëherë i kemi pa, vetëm në momente kyçe vërehet sa ka bërë për liri”, shtoi Haradinaj.

Të ngjashme