Haradinaj ngritjen e pagës për 100% e quan pagë solide

Prishtinë | 03 Jan 2018 | 19:05 | Nga
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur përsëri lidhur me vendimin e tij për t’ia ngritur pagën vetes për 100%. Por pavarësisht kësaj Haradinaj vazhdon të mos e ketë pagën më të lartë në Kosovë, shkruan Insajderi.Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryetari i kuvendit, Kadri Veseli sipas Haradinajt vazhdojnë ta kenë pagën më të lartë në vend. Sipas tij vendimi për ngritjen e pagës ka të bëjë me kredibilitetin e institucionit.

“Kryeministri edhe me këtë rritje e ka pagën më të vogël se kryeparlamentari dhe presidenti në hierarki i bie ta ketë të tretën. Paga është e rëndësishme për kredibilitetin e institucionin nuk janë vetëm pare edhe pse jeta për kryeministrin nuk është e rëndomtë. Edhe pse ky vendim nxiti reagime simpatike të them të drejtën dhe të respektueshme por nuk është jeta e njëjte”, ka thënë Haradinaj për Indeksonline.

Haradinaj ngritjen e pagës së tij e ka quajtur pagë solide por që në kushtet e Kosovës i bie të jetë pagë e lartë.

“Ngritja e pagës është transparencë në bazë të ligjit nuk është vjedhje nuk është tender por është pagë solide në rast për kushtet e Kosovës është pagë e madhe por është edhe garanci. Ka edhe një të mirë sepse duhet të vazhdojë ekuivalenca edhe tek sistemi i drejtësisë”, ka thënë Haradinaj

Të ngjashme