Haradinaj: Nuk ka lindje më të vështirë se sa lindja e një shteti, t’i kryejmë punët qind për qind

Prishtinë | 04 Gus 2019 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në tubimin përkujtimor, kushtuar 21- vjetorit të Betejës së Markalleshëve dhe dëshmorëve Mark Lleshi, Prend Lleshi, Kolë Lleshi dhe Memë Lleshi.

Fillimisht kryeministri në detyrë Haradinaj bëri homazhe te memoriali i dëshmorëve Mark, Prend, Kolë dhe Memë Lleshi.

Para të pranishmëve, kryeministri në detyrë, Haradinaj, tha se po ndihet jashtëzakonisht mirë që sot ka pasur nderin të kalojë pak momente te Markalleshët, familje kjo që ka një histori të vetën të gjatë, edhe në luftëra të tjera, kohëra të tjera sikurse edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore, ku nga kjo familje ranë dëshmorë, njerëz të shquar.

“U pushkatuan padrejtësisht. Andaj më lejoni sot të ju falënderoj të gjithëve për prezencë në nderim të betejës së Markalleshëve të 7 gushtit por edhe të heronjve të Kosovës të rënë edhe më vonë. Dua të them disa fjalë për ditën e sotme pse është me rëndësi kujtesa jonë për të kaluar nëpër momente të vështira sepse janë bërë 20 vjet nga kjo betejë por edhe është kaluar një kohë”, theksoi kryeministri në detyrë, Haradinaj, duke shtuar se më së miri ndoshta kjo shpjegohet me faktin se nuk dihet që ka lindje më të vështirë se sa lindja e shtetit, një lindje e këtillë kaq e vështirë është jashtëzakonisht e veçantë dhe ne jemi nisur që t’i takojmë familjes se shteteve sepse jemi bërë shtet, e kemi shpallur veten shtet, dhe duam të jemi në tavolinën e shteve që janë si Amerika dhe të tjerët veç e veç.

Ndër tjera, Haradinaj shtoi se e dimë se për këtë Kosovë ka pasur shumë flijime, përndjekje, masakra e gjenocid, tmerre që i ka përjetuar populli ynë për të ardhur deri të dita e qershorit të ’99-ës.

Në këtë familje të Markalleshëve, sipas kryeministrit në detyrë, Haradinaj, ndër breza ruhet kjo sakrificë dhe e dinë se si ka qenë rruga jonë deri këtu dhe është në interesin tonë që ta përfundojmë Kosovën si shtet qind për qind, t’i kryejmë punët qind për qind, të bashkojmë shtetin tonë me kombin kudo që janë shqiptarët por edhe t’i bashkohemi familjes euroatlantike sepse aty është vendi ynë, aty takojnë vlerat tona, aty është nderi ynë.
“Nëse shërbehemi me shembullin e kësaj familjeje rruga jonë do të jetë e lehtë, pa asnjë dilemë dhe do të arrijmë së bashku dhe uroj që në këtë shembull, në këtë sakrificë të Markalleshëve, të të gjithë dëshmorëve, të shërbehemi si komb”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.
Nga një fjalë parë të pranishmëve mbajti Dervish Tahiri nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, Don Alberti famullitar, ndërsa në emër të familjes foli Gegë Lleshi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme