Haradinaj: Po bëjmë maksimumin që t’u dalim në ndihmë qytetarëve të Suharekës

Prishtinë | 16 Gus 2018 | 16:08 | Nga

Qeveria e Republikës së Kosovës është e shqetësuar me gjendjen e krijuar në Komunën e Suharekës, pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut në këtë komunë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, me këtë rast ka kërkuar nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të mobilizohen dhe të ndërmarrin të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë banorëve të kësaj ane.

Kryeministri Haradinaj është në kontakt të vazhdueshëm me Kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, dhe po përcjell me vëmendje situatën e krijuar në Suharekë.

“Si Qeveri e vendit do të bëjmë maksimumin që të parandalojmë rrezikimin e jetëve të qytetarëve tanë dhe t’u dalim në ndihmë banorëve që kanë pësuar nga kjo fatkeqësi natyrore”, ka thënë kryeministri Haradinaj, thuhet në një njoftim për media.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme