Haradinaj premton zbatimin e Ligjit për Kryeqytetin, këto do të jenë përfitimet për Prishtinën

Prishtinë | 13 Sht 2021 | 13:05 | Nga Ekonomia Online

Me zbatimin e Ligjit për Kryeqytetin, Prishtina do ta përfitonte mekanizmin e vet të sigurisë, duke e themeluar Policinë e Kryeqytetit. Ky ligj ishte miratuar në vitin 2018 në Kuvendin e Kosovës, me insistimin e madh të ish-kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj. Megjithatë, përkundër se Prishtina e ka të rregulluar statusin e saj juridik si kryeqytet, beneficionet e ligjit nuk janë shfrytëzuar në tërësi nga qeverisja lokale.

Daut Haradinaj, kandidat për Prishtinën, e ka në listën e prioriteteve zbatimin e këtij ligji nëse bëhet kryetar i Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit. Haradinaj, në programin e tij qeverisës, ka theksuar se është esencial zbatimi i këtij ligji.

Çfarë do të përfitojnë qytetarët e kryeqytetit me zbatimin e Ligjit për Kryeqytetin?

Ligji i garanton Prishtinës Policinë e Kryeqytetit, prandaj Haradinaj ka thënë se ai do të kujdeset menjëherë që të themelojë Policinë e Kryeqytetit, duke e emëruar edhe Drejtorin e Përgjithshëm. Po ashtu, në bazë të ligjit, kryeqyteti do të ndërtoj mekanizmat vetanak për mbikëqyrjen lokale të sigurisë.

Tutje, në bazë të Ligjit për Kryeqytetin, do të bëhet ndarja në zona e kryeqytetit dhe sipas planprogramit qeverisës të Haradinajt do të jenë gjashtë zona.

Do të bëhet regjistrimi i pronave të luajtshme dhe të paluajtshme në kryeqytet, si dhe korrigjimi i të dhënave kadastrale dhe pronësore. Në bazë të këtyre ndarjeve, do të bëhet decentralizimi buxhetor duke pasur për bazë taksat e paguara, për t’i kthyer me investime konkrete në zonat përkatëse.

Një tjetër vendim që do ta marrë Haradinaj, do të jetë themelimi i Drejtorisë për Vlera Kombëtare, e cila do të bëj dokumentimin dhe evidentimin e ngjarjeve historike të kryeqytetit, si dhe njohjen dhe vlerësimin e personaliteteve të shquara të Prishtinës.

Po ashtu, Haradinaj do të merret edhe me një problematikë të madhe të kryeqytetit, me kaosin e ndërtimeve pa leje, dhe atyre pa pranim teknik që llogaritet të jenë rreth 40 mijë prej tyre. Këto objekte do të legalizohen, përmes procesit paraprak për pranim teknik.

Haradinaj, duke u bazuar në Ligjin për Kryeqytetin, do të angazhohet po ashtu që të arrijë barazinë në ndërtim. Me shqyrtimin e kuotave të ndërtimit, ai synon që t’i eliminojë diskriminimet e deritanishme, ngase ka pasur shumë ankesa për trajtim të padrejtë gjatë përcaktimit të koeficientit të ndërtimit.

Të ngjashme