Haradinaj-Stublla flet me Cakajn, njoftohet se veterani i UÇK’së është liruar

Prishtinë | 02 Gus 2020 | 13:47 | Nga Ekonomia Online

Kreu i OVL-së, Hysni Gucati, ka njoftuar se ish-luftëtari i UÇK’së, Murtez Kastrati, është ndaluar nga autoritetet e Shqipërisë pas një urdhërarresti që kanë leshuar ndaj këtij të fundit auotiretet e Serbisë.

Lidhur me këtë rast ka reaguar menjëherë Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stbulla, e cila thotë se ka kontaktuar homologun e saj, Gent Cakaj, i cili ka sqaruar se Kastrati është ndaluar për verifikim dhe është liruar para dy orësh.

‘Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh”, ka shkruar ministrja.

“Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës”, ka shtuar ajo.

Haradinaj-Stbulla ka thënë se që të mos ndodhin gjëra të tilla, do t’ua vënë në dispozicion autoriteteve shqiptare listën e veteranëve të UÇK’së.

“Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shtuar ajo.

“Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash!”, ka përfunduar ajo.

Të ngjashme