Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, është takuar me përfaqësuesit e kompanisë gjermane Luma International GmbH, të cilët kanë shprehur interesim për të investuar në sektorin e minierave, përkatësisht në Minierën e Boksitit në Komunën e Klinës.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj njoftoi se ka shpalosur me ta mundësitë e favorshme që ofron infrastruktura ekzistuese, ligjet tona dhe resurset e përshtatshme njerëzore.
“Gjatë mandatit qeverisës, ne i kemi dhënë prioritet investimeve të huaja direkte në Kosovë, në sektor të rëndësishëm për zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Në këtë frymë, për të shpalosur gjitha mundësitë që ofron Kosova, sot prita në takim përfaqësuesit e kompanisë gjermane Luma International GmbH, të kryesuar nga z. Zeev Kliot, të cilët shprehën interesim për të investuar në sektorin e minierave, përkatësisht në Minierën e Boksitit në Komunën e Klinës.
Shpalosa para tyre, mundësitë e favorshme që ofron infrastruktura ekzistuese, ligjet tona dhe resurset e përshtatshme njerëzore”, ka shkruar Kryeministri.