Haradinaj takon gjeneralin gjerman, thotë se mbështetja e Gjermanisë është e domosdoshme

Prishtinë | 29 Tet 2018 | 12:32 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim shefin e stafit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneralin Eberhard Zorn, raporton Ekonomia Online.

Mediet janë lejuar të marrin vetëm pamje nga ky takim, ndërsa sipas komunikatës për medie nga Qeveria, Haradinaj ka falëndruar Zornin për kontributin shtetit gjerman në aspektin e sigurisë në Kosovë.

“Kontributi i shtetit gjerman dhënë Kosovës në të gjitha etapat, e në veçanti në çështjen e sigurisë përmes trupave të KFOR-it gjermanë, ka luajtur rol vendimtar në çlirimin dhe tani në krijimin e stabilitetit dhe të ambientit të sigurt për qytetarët e vendit. Andaj, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderoj secilin ushtar gjerman që ka dhënë kontributin e tij duke shërbyer në misionin paqeruajtës në Kosovë”, kështu tha Haradinaj në takim me gjeneralin Eberhard Zorn.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar gjeneralin Zorn për prioritetet e Qeverisë, zhvillimet politike në vend, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit, procesin e transformimit të FSK-së në ushtri, duke kërkuar nga shteti gjerman që edhe më tutje të jetë mbështetës i të gjitha proceseve të mëdha.

Duke e falënderuar shtetin gjerman për kontributin e gjithanshëm në shtetndërtimin e Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se mbështetja e Gjermanisë është e domosdoshme edhe më tutje, në shumë procese të rëndësishme nëpër të cilat po kalon Kosova.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë në nivel të shkëlqyer që nga kohërat më të vështira. Ndërsa, tani jemi duke punuar që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm edhe në zhvillimin ekonomik dhe fusha tjera të interesit të përbashkët”, tha kryeministri Haradinaj, duke marrë si shembull të mirë shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Park Inovativ dhe Trajnues.

Shefi i stafit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjenerali Eberhard Zorn, vlerësoi të arriturat në Kosovë në fushën e sigurisë dhe krijimin e një ambienti të qetë për të gjithë qytetarët, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën.

Në shenjë falënderimi, Kryeministri  Haradinaj e nderoi gjeneralin Eberhard Zorn me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri i Forcës së Sigurisë, Rrustem Berisha, ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, si dhe komandanti i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama.

Të ngjashme