Haradinaj: Ukshin Hoti frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së

Prishtinë | 16 Maj 2021 | 09:18 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Ukshin Hoti në 22-vjetorin e zhdukjes së tij.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se Kosova asnjëherë nuk duhet të ndalet së kërkuari drejtësi për krimet që ka kryer pushtuesi serb.

Tutje Haradinaj tha që Ukshin Hoti ishte “trim e guximtar që nuk u thye kurrë”.

“Zëri moral i shoqërisë shqiptare, intelektual kryengritës, trim e guximtar që nuk u thye kurrë. I tillë ishte Ukshin Hoti.Rrezatues mbi injorancën, që asnjëherë nuk e lejoi korruptimin e dijes, ai ishte ndër intelektualët dhe diplomatët e parë të Kosovës, i cili e arsyetoi dhe zbërtheu në teori e praktikë, kërkesën e shqiptarëve të Kosovës për lirinë, barazinë dhe Republikën.

Ai formësoi mendimin politik shqiptar në dy dekadat e fundshekullit njëzet, frymëzoi kryengritjen të cilën e jetësoi brezi i UÇK-së. Ai promovoi etikën politike, sepse politika pa etikë nuk nxit ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore, duke u bërë shembull që duhet ndjekur nga elitat politike të shqiptarëve gjithandej.

Për shkak të këndvështrimit të tij të veçantë politik, ai shfaqte rrezik të përhershëm për regjimin. Ai u përndjek dhe u burgos nga organet e pushtuesit, e më pas u zhduk fizikisht, e ne ende nuk kemi përgjigje për fatin e tij. Por, ata kurrë nuk arritën të shuajnë idetë, të cilat me krenari vazhdojmë t’i ndjekim.

Ne asnjëherë nuk duhet të ndalemi së kërkuari drejtësi për të gjitha krimet që pushtuesi serb i kreu në vendin tonë, në respekt të veprës e sakrificës jetësore të Ukshin Hotit dhe mijëra bashkëkombasve tanë, që pësuan nga gjenocidi”, u shpreh Haradinaj.

Të ngjashme