Havolli: Çështja e vaksinave anti-Covid është politizuar

Prishtinë | 02 Maj 2021 | 08:14 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-kryetari i Sindikatës së Infermierëve, Fitim Havolli, thotë se çështja e vaksinave kundër Covid-19 është politizuar dhe sipas tij gjithçka po bëhet për inate politike, raporton Ekonomia Online.

Havolli në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po e trajton si prioritet sigurimin e vaksinave anti-Covid.

“Aq shumë është politizua aspekti i ardhjes së vaksinës dhe mos qasja e saj sipas prioritetit që i është dashur ta ketë siç e kanë e gjithë bota, për të pasur në kontroll këtë pandemi e cila na ka çrregullua qoftë në aspektin shëndetësor ashtu edhe në aspektin ekonomik. Mirëpo tek ne përveç që u ndërruan qeveritë të shpeshta këta me çështje inatesh politike duke mos i përcjellë ose duke mos e ndjekur kursin e atyre të cilët e lanë Qeverinë për të vazhduar dhe siguruar sa më shpejtë vaksinën dhe për ta shpërndarë tek popullata jonë”, tha ai.

“Në mënyrë që vërtetë shëndeti dhe ekonomia jonë të jetë e hapur dhe të ringjallet jeta e cila është dëmtuar në mënyrën më të skajshme të mundshme dhe është çrregulluar çdo pore e jetës, duhet bërë më shumë në këtë drejtim. Tek ne sa dëgjoj debatet shohim duke i qëruar hesapet me njëri-tjetrin si deputetë dhe përfaqësues të popullit në vend që të jepen alternativa për sigurimin e vaksinës”, theksoi tuje Havolli.

Havolli tutje thekson se që nga paslufta e deri më tani sistemi shëndetësor në Kosovë është i brishtë, dhe si pasojë e kësaj shumë nga personeli shëndetësor preferojnë ikjen nga vendi.

“Realisht prej pasluftës e këndej sistemi shëndetësor i Kosovë është i brishtë dhe nuk ka pasur një qasje institucionale dhe shtetërore si duhet, dhe tani kur po flasim ne ato probleme kanë ardhur dhe janë grumbulluar. Tash jemi në një situatë  jashtëzakonisht delikate ku përveç që ka mungesë të 5 mijë pra gjithë sistemit shëndetësor në Kosovë, ne kemi edhe një shqetësim tjetër që edhe ata që janë duke punuar janë duke ikur dhe duke lënë vendin e punës për shkak të mos trajtimit të duhur të këtij komuniteti duke marrë parasysh dobitë dhe rolin e rëndësishëm që e ka”, përfundoi ai.

Deputetët e Kuvendit kanë mbajtur seancë dy ditë, ku kanë hedhur akuza ndaj njëri-tjetrit për keqmenaxhim të situatës me pandeminë dhe për mos sigurimin e vaksinave anti-Covid. Ndërsa në fund rezoluta e PDK-së për shpejtimin e sigurimit të vaksinave nuk mori vota të mjaftueshme.

Të ngjashme