Haxha: Në PTK është bërë hajni e madhe, u shantazhova e kërcënova

Prishtinë | 10 Qer 2019 | 13:16 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala ka intervistuar  Shyqyri Haxhën, ish-kryeshef i Telekomit të Kosovës, raporton EkonomiaOnline.

Haxha është ballafaquar me pyetje të shumta nga deputetët, përkitazi me punësimet, kontratën me ZMobile, dhe tema të tjera që ndërlidhen me kohën sa ai ishte në krye të PTK-së.

Deputeti i Grupit Parlamentar të NISMA-s Socialdemokrate, Milaim Zeka, e ka pyetur Haxhën nëse ka pasur kusht nga kryeministrit i atëhershëm, Hashim Thaçi, që për t’u bërë Kryeshef duhet të pranojë nënshkrimin e kontratës me ZMobile.

“A ke pas kusht për me u bë drejtor ekzekutiv për me nënshkrua një kontratë të tillë dhe a të ka detyrua Hashim Thaçi”, tha Zeka.

Por ish- kryeshefi i PTK-së, tha se nuk ka ekzistuar një kusht i tillë, edhe pse presionet nuk i mohoi.

“Nuk ka pas njeri që më ka qit kusht me e nënshkrua atë kontratë, sepse po të kishte asnjëherë nuk do ndodhte. Nuk e mohoj që nuk ka pasur presion, se a kam pas presion nga Hashim Thaçi nuk e mohoj e as nuk e pohoj sepse ka forma të ndryshme të presionit. Ambasada Britaneze më kanë thënë thirre Hashim Thaçin se çfarë po bëhet. Thaçi më ka thënë që unë nuk merrem me këto gjëra dhe ti duhesh ta zgjidhesh këtë problem”, tha ai.

Deputeti i VV-së, Liburn Aliu, kërkoi nga Haxha të përmend emra të përveçëm se nga kush ka pas presion, dhe jo emra të përgjithshëm sepse kështu nuk mund të ketë zgjedhje.

E Haxha përmendi dy emra.

“Jam njeri që kam ardh dhe sikur me më gju në një vend me gjarpinj, ju jeni në politikë unë nuk jam, ju e njihni Kosovën më mirë se unë, në procesin e nënshkrimit të komtratës asnjë dyshim nuk e kam pasur, bordi ka qenë faktori kryesor që ka bërë presion me i krye projektet më shpejtë, njerëzit më të zëshëm ka qenë Rexhë Gjonbalaj dhe Nuhi Ahmeti”, tha ai.

Duke përmendur rastin në fjalë, Haxha e pranoi se ka pasur vjedhje të miliona eurove.

“200 milionë euro, këtu është bërë hajni e madhe, unë kam hyrë në luftë me të gjithë me kompani e politikë”

“Paratë e PTK-së janë deponuar në Procredit Bank dhe ato janë shfrytëzua për kredi të qytetarëve me shuma të interesit të larta. Kur e kam kuptua këtë kam shkua në atë bankë dhe i kam thënë drejtorit se paratë e PTK-së që i mban çfarë bën me to dhe cili është interesi që i ofron PTK-së dhe punëtorëve do ua ofrosh kushtet e njëjta siç i ofron punëtorëve tuaj dhe nuk guxon askush me më thirr pas orari nëse nuk i ofron këtë %, depoziti nesër hiqet, PTK ka fituar 4 milionë brenda dite atë ditë kemi fituar 4 milionë”, tha ai.

“Kam pas një jetë shumë të rëndë këtu por nuk kam lëshua pe, përfaqësuesja e bordit e komunitetit serb ka qenë kundër meje”, tha Haxha.

Tha se kontrata do të implementohej edhe në rast se nuk do të nënshkruante ai.

“E kanë përpiluar njerëz ekspert është aprovuar edhe % është cek saktë dhe kjo ka qenë punë e kryer. Lulzim Kurtaj ai e ka bërë trasenë e licencës nga Dardafon.com në Dardafon.net dhe ai duhet të jap sqarim se si ka ndodhur kjo, unë e kam kuptuar vonë këtë dhe kam thënë se është mashtrim”, tha ai.

Haxha tha se kur janë larguar antenat serbe ka marrë kërcënime në gjuhën shqipe. Ai tha se antenat janë ende në depo në Fushë Kosovë.

Ai u shpreh i sigurt që kërcënimet kanë qenë në gjuhë shqipe dhe se kanë ardhur nga njerëz të tij.

“Kërcënimet kanë qenë shqip kur janë larguar antenat serbe, më kanë shkruar . O Shyqyri Galica shpejt ke me u vra.”, tha ai.

“Policisë së Kosovës dhe shërbimit sekret i kam propozua fije optike të veçanta që nuk ka mund me përgjua askush dhe në kohën kur u vra Enver Zymberi policia jonë ka ndaluar krim të organizuar”.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e pyeti se a ka të punësuar ndojnë familjar në PTK.

Ndërsa ai e mohoi një gjë të tillë duke thënë se vetë Deliu dikur i kishte kërkuar një favor të tillë për një familjar.

“Kontrata mbi vepër. Jam kundër punësimeve për kontratë mbi vepër kurrë nuk kam dëgjua qe kështu bëhen, të burimeve njerëzore më kanë thënë se në Kosovë bëhen”, tha Haxha.

Haxhaj tha se personalisht vetë ka punësuar 3 persona në PTK.

“Tri punësime që kam bërë personalisht ai ka qenë që më ka sjellë informacione ekspert i IT-së policia ka qenë aty kur e kam punësuar. Kam punësuar një nënë të Gjakovës që iu ka vrarë e gjithë familja, Ferdonie Çerkezi e ka sjellë atë grua në PTK dhe me kontratë mbi vepër është punësuar, kam punësuar një grua nga Drenica që iu kanë vrarë vëllezërit”, tha ai.

Deputetja Deliu mohoi se ka kërkuar ndonjëherë nga Haxha për punësimin e ndonjë familjari..

“Nuk kam kërkuar asnjëherë ndonjë punësim në PTK ma gjeni një nëse kam punësuar ndonjë familjar, në kohën kur po flasim kam qenë gazetare në RTK dhe mos e luani rolin e engjëllit që po e shpëtoni PTK”, tha ajo.

Ai tha se punësimet nuk e kanë sjell PTK-në në këtë gjendje.

Ndërsa tregoi edhe një rast kur ish kryetari i Vushtrrisë, e shantazhonte për punësimin e dy personave.

“Dy vetë mi ka dërgua Bajram Mulaki nga Vushtrria më kanë thënë se nëse nuk punësohen, vëllain tënd Bahri Haxhën kemi me thënë se nuk ka qenë dëshmor. Kaq larg mund të shkojnë”, tha ai.

Të ngjashme