Haxhiu e Nagavci u bëjnë thirrje nxënësve në Kamenicë që të raportojnë dhunën

Prishtinë | 30 Nën 2022 | 14:26 | Nga Ekonomia Online

“Të dashur nxënës. Çdo ditë duhet të jetë ditë e angazhimit për të luftuar këtë fenomen që po shkakton pasoja të rënda jo vetëm te vajzat por edhe te gratë”.

Kështu u është drejtuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu nxënësve të Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, “Xhavit Ahmeti” në fshatin Hodonoc të Kamenicës në kuadër të fushatës kundër dhunës në baza gjinore e dhunës në familje.

Ajo ka thënë se shkollat luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim.

“Është e vërtetë që viktimë e dhunës mund të jetë secili, mund të jetë djali vajza, gruaja mirëpo nëse i shohim statistikat 90% e rasteve janë ndaj vajzave dhe grave dhe kjo është arsyeja që vëmendja jonë si institucione është për të luftuar fenomenin”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera, Haxhiu ka thënë se këtë fushatë e ka hapur bashkë me ministren Nagavci në Prishtinë.

“Ju e dini se dhuna në familje ndaj grave është krim është edhe e dënueshme dhe ju si fëmijë që jeni është shumë e rëndësishme që të raportoni dhunën së pari që ndodhë ndaj juve, prindërit nuk kanë të drejtë me ushtru dhunë as fizike e as psiqike, as mësimdhënësit e as askush tjetër”, ka vijuar ajo.

Ajo ka ftuar nxënësit që të raportojnë dhunën pavarësisht vendit ku ajo ndodh.

“Ju keni lirinë e fjalës lirinë e mendimit, dhe përveç kësaj është e rëndësishme që ta raportoni ku do që mundeni dhunën që ndodh ndaj juve. Është e rëndësishme si institucione ta kryejmë punën tonë dhe duhet personat që përdorin dhunë të marrin përgjegjësinë, ju ftoj juve ta respektoni njëri tjetrin edhe në shkollë edhe në klasë”.

Ndërkaq, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se të diskutohet për dhunën sidomos me nxënësit është mënyrë e vetëdijësimit jo vetëm për të mos e ushtruar atë, por që të raportohet kudo që ndodh.

“Ne kemi filluar këtë fushate me aktivitetin e parë në një shkollë me bindjen e plotë që me ofrimin e një edukimi më të mire dhe vetëdijësimit më të mirë për eliminimin e dhunës. Të gjitha statistikat e tregojnë se nëse ne duam të shmangim dhunën, është qe duhet te sigurohemi të mirë edukuar të aftë per vetën tonë, kur jemi të pavarur financiarisht jemi të pavarur nga të tjerët”, ka thënë ajo.

Ndër të tjera ajo ka shtuar se dhuna është e papranueshme dhe e dënueshme.

“Dhuna është në forma të ndryshme, siç eshte dhuna verbale, si fyerja ngacmimet, dhuna në cilën do formë është e papranueshme… është shume e rëndësishme që të jeni të vetëdijshëm për të drejtat e juaja”.

Ndërsa, kryetar i Kamenicës, Kadri Rahimaj ka thënë se dhuna është një gjë e cila nuk meriton të justifikohet në asnjë formë.

“Një gjë e cila më kujtohet dhe ju kujtohet te gjithëve është dhuna dhe një gjë e cila nuk meriton te justifikohet në asnjë formë, dhuna nuk duhet të ketë vend në hapësirat tona dhe të gjithë ne duhet bashkarisht që kudo që ndodh, ne të marrim masa dhe ta denoncojmë. Sot dhuna mund te paraqitet në forma te ndryshme, ajo mund te vijë si shkak i kushteve ekonomike apo arsyeve të tjera”, ka thënë Rahimaj.

Të ngjashme