Haxhiu kërkon uljen e tarifave të përmbaruesve

Prishtinë | 12 Pri 2021 | 19:13 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot është takuar me kryetarin e Odës së Përmbaruesve Privat të Kosovës, Arben Gashi, ku kanë diskutuar për sfidat dhe realizimin e disa objektivave për OPK-në, me ç ‘rast është theksuar se bashkëpunimi me Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet tjera relevante mbetet tejet me rëndësi.

​Me theks të veçantë, gjatë këtij takimi u diskutua për ndryshimet e nevojshme ligjore si dhe mundësinë për të bërë një analizë të mirëfilltë financiare lidhur me përmbarimin. Konkretisht është diskutuar nevoja për ndryshimin e ligjit për procedurën përmbarimore si dhe nevojën për rishqyrtimin e tarifave të përmbaruesve për të cilat Ministrja tha se konsiderohen më të lartat në rajon dhe se duhet të ulen.

Ministrja Haxhiu theksoi se mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetjen e nevojshme në forcimin e mbikëqyrjes së profesioneve të lira në përgjithësi, duke fuqizuar edhe rolin e Ministrisë dhe departamentit përkatës në këtë drejtim dhe po ashtu për angazhimin dhe ofrimin e shërbimeve cilësore dhe transparente për qytetarët e vendit.

Të ngjashme