Haxhiu për raportet me KPK-në: Po konsiderojnë se nuk duhet të ketë vetting

Prishtinë | 30 Dhj 2021 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se raportet me Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) nuk janë edhe aq të këqija.

Në një konferencë për medie, Haxhiu tha se me KPK-në më shumë ka pasur përplasje verbale për çështjen e vettingut në sistemin e drejtësisë.

“Sa i përket raporteve me KPK-në konsiderojë që nuk janë ashtu siç duken. Ka pasur disa acarime më shumë verbale dhe në këtë drejtim konsideroj që arsyet për këtë janë reformat në drejtësi që ka nisur MD-ja”.

“Besoj që edhe njerëzit e mirë që janë brenda sistemit të drejtësisë që ka shumë të tillë që kanë integritet moral dhe profesional e kanë në interes që të bëhen reformat në drejtësi”.

Më tutje ministrja tha se është e hapur për bashkëpunim, teksa shtoi se KPK-ja konsideron se nuk duhet të ketë veting në drejtësi.

“Besoj që këto reforma nuk duhet që të jenë pengesë për sistemin e drejtësisë. Unë jam shumë e hapur që të kem bashkëpunime me ta”.

“Mosprania e tyre në grupe punuese që lidhen me vettingun ata konsiderojnë që nuk duhet të ketë vetting por për këtë kanë vendosur qytetarët e Kosovës”. 

Haxhiu në konferencën e fundvitit ka numëruar punët që Ministria e Drejtësisë ka kryer e të cilat ajo i konsideron si sukses, duke shtuar se kanë përmbushur 80% të programit legjislativ.

“Kemi arritur që të finalizojmë dhe miratojmë në qeveri rreth 30 dokumente si projektligje, koncept-dokumente, strategji e rregullore dhe akte të tjera të rëndësishme. Deri tani kemi miratuar 19 projektligje në qeveri dhe janë finalizuar pesë projektligje të tjera të cilat presin miratimin në mbledhjen e radhës të qeverisë, pra gjithsej janë 24 projektligje që janë proceduar në qeverinë e Kosovës – rreth 80 % përmbushje e programit legjislativ të MD-së. Janë miratuar katër koncept dokumente të rëndësishme, rregullore dhe strategji, dhe katër udhëzime administrative dhe akte të tjera të rëndësishme. Kemi nënshkruar dy marrëveshje ndërkombëtare dhe një letër qëllim që i paraprin marrëveshjes së radhës”.

Ajo ka thënë se është avancuar korniza ligjore kundër korrupsionit, derisa ka folur më në detaje se pasuria e pajustifikueshme e cilëve zyrtarë mund të konfiskohet me projektligjin e miratuar dje në qeveri.

“Projektligji për Byron Shtetërore dhe për verifikimin e pasurisë së pajufistikueshme i cili garanton respektim të të drejtave të palëve në procedurë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumente ndërkombëtare synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar të personave zyrtarë, familjarëve të tyre dhe personave të ekspozuar politikisht duke luftuar dhe ndëshkuar edhe këtë formë të keqpërdorimit të parasë publike. Gjithnjë kur pasuria e cila është krijuar nuk mund të justifikohet, po flasim për një pasuri që është në shpërputhje me të ardhurat që i ka zyrtari”.

E para e Drejtësisë ka folur edhe për veprimet që kanë marrë sa i përket dënimit të krimeve të luftës në Kosovë dhe dhunës në familje e të cilat i ka cilësuar si dy objektiva të rëndësishme.

“Në kuadër të ballafaqimit me të kaluarën si njëra nga objektivat e qeverisë së Kosovës është miratuar koncept dokumenti për themelimin e mekanizmit për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe është miratuar plotësim-ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale i cili mundëson gjykimin në mungesë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe janë shtuar kapacitetet njerëzore dhe profesionale në Prokurorinë Speciale për të mundësuar ndjekjen efikase të veprave të krimeve të luftës”.

“Sa i përket dhunës në familje, si një nga objektivat tona kryesore dhe shumë të rëndësishme, në mesin e shumë iniciative është finalizuar strategjia dhe plani i veprimit si dhe është miratuar projektligji për kompensimin e viktimave të krimit”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme