Haxhiu takon kryesuesin e Këshillit Prokurorial

Prishtinë | 06 Pri 2021 | 12:34 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, ka pritur në takim ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, me ç’rast e uroi për pozitën e re në Qeverinë e Kosovës dhe e njoftoi për angazhimet aktuale, vështirësitë e krijuara në ballafaqim me pandeminë COVID-19 dhe sfidat që e presin në të ardhmen sistemin prokurorial të Kosovës.

Maloku gjatë takimit me Haxhiun ka shprehur përkushtimin e tij për zbatimin e misionit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe për dhënien e kontributit të nevojshëm, duke potencuar se do të jetë gjithnjë në përkrahje të iniciativave të përbashkëta ndërmjet KPK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë në kuadër të ngritjes dhe forcimit të zbatimit të ligjit në Kosovë.

Në anën tjetër, e para e drejtësisë në vend , ka theksuar se ofron mbështetje për të gjitha proceset e rëndësishme që do të zhvillohen në sistemin prokurorial, në mënyrë që së bashku të arrihet çuarja përpara e sundimit të ligjit në Kosovë, duke potencuar se dikasteri që udhëheq dhe përgjithësisht Qeveria e Kosovës do të jenë të angazhuara plotësisht për të realizuar procesin e vetingut dhe aspekte të tjera të punës, që do të kontribuojnë për avancimin e sistemit prokurorial.

Gjithashtu, dy bashkëbiseduesit, diskutuan me theks të veçantë për Rishikimin Funksional të Sektorit të Drejtësisë, proces ky, i cili do të ketë mbështetjen e dyanshme ndërinstitucionale dhe të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, me qëllim të ngritjes së efikasitetit të punës, llogaridhënies dhe transparencës në sistemin prokurorial të Kosovës.

Në përmbyllje të takimit, Maloku dhe Haxhiu u shprehën se do të intensifikojnë takimet në bazë të zhvillimit të dinamikës së punëve, me qëllim të realizimit të synimeve strategjike të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme