Haziri: Dr. Rugova figurë kolosi, një lider që realizoi ëndrrat tona

Prishtinë | 21 Jan 2019 | 19:21 | Nga Ekonomia Online

“Ky janar shënon 13-vjetorin të ndarjes nga jeta të Dr Ibrahim Rugovës, të njeriut dhe liderit më të madh të shqiptarëve në ish Jugosllavi, të liderit dhe politikanit më modern dhe më ndryshe nga të gjithë liderët e kohës së tij, të njeriut që në vend të armëve promovonte dhe thërriste për paqe, promovonte dhe thërriste për liri dhe dialog”.

Kështu u shpreh, në hyrje të fjalës së tij, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në Akademinë Përkujtimore, kushtuar Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, në trembëdhjetë vjetorin e ndarjes nga jeta, akademi kjo që po realizohet në vazhdën e aktiviteteve të shumta në kuadër të Manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2019”, që po mbahet për të 28-tën herë me radhë në Gjilan.

I pari i komunës së Gjilanit, ka shtuar tutje se ky lider që realizoi ëndrrat tona dhe shkaktoi edhe procese tjera jo vetëm në Republikën tonë, sot, edhe trembëdhjetë viteve pas luftës, po tregohet qartë se sa është e madhe zbrazëtira nga mungesa e tij fizike, në politikëbërje edhe në vendin tonë, se sa është e madhe mungesa e tij në shtetndërtimin e Republikës sonë, në përfaqësimin e Republikës tonë te miqtë kudo në botë dhe se sa është formati i tij politik i madh që nuk mund të mbulohet nga askush tjetër.

“Por, e mira e krejt kësaj është që Republika jonë po jeton, që përkundër demokracisë së brishtë po i mbijeton proceseve të rënda politike dhe si e tillë është amanet i yni, i cili duhet të vazhdon dhe trashëgimin politike që e ka lënë, familjen e tij politike që e ka lënë, LDK-ja, vazhdon ta trason rrugën, vazhdon ta ndërton unitetin, ta ndërton durimin, paqen dhe demokracinë edhe më të madhe për gjithë qytetarët e saj”, ka thënë kryetari Haziri.

Ndërsa. prof,dr. Enver Bytyqi, në evokimin e tij, ka thënë se në konceptim dhe mendimin e tij, Ibrahim Rugova është një nga 2-3 personalitetet më të mëdha të kombit shqiptar qysh se është krijuar kombi shqiptar e deri më sot, për të shtuar se kushdo që është përpjekur, do të përpiqet t’i bëjë hije Ibrahim Rugovës, do të mbytet në hijen e tij sepse nuk ka kazmë, lopatë apo sakicë, këtë lis aq të madh të kombit shqiptar.

Ai shtoi tutje Rugova është i madh sepse për herë të parë në historinë e kombit shqiptar e ndryshoi filozofinë politike të rezistencë së shqiptarëve.

Ndërsa, Adnan Merovci, shef i protokollit të Ibrahim Rugovës ka evokuar kujtime për të, shkurtazi në mënyrë kronologjike, duke thënë se Dr Rugova ka krijuar vlera dhe se filozofia e tij ishte një politikë transparente, duke shtuar se liria shpirtërore, në rend të parë erdhi me Rugovën.

Duke folur për tri hapa të Rugovës, Merovci ka përmendur, ruajtën e qenies njerëzore, faktin që Rugova theu mitin e Serbisë për Kosovën dhe orientimin properëndimor. Ai vlerësoi se Rugova ishte një prijës dijetar dhe është ‘Babai’ i Pavarësisë.

Duke qenë gjithnjë afër Rugovës, ai ka kujtuar momente të caktuar ndër vitesh, ndërsa duke u ndërlidhur me nikoqirin e kësaj Akademie, kreun e Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirin, që në kohën e Rugovës, ishte një djalë i ri, aktiv në rrugën rugoviane, një bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës, Merovci ka kujtuar se Dr. Rugova i donte të rinjtë, dhe ka përmendur një fakt të angazhimit, nga takimet me diplomatë, për t’u liruar Haziri nga burgu, ku ishte asokohe.

Në këtë vazhdë, Merovci duke e quajtur Hazirin ushtar i Rugovës, tha se e ka një porosi për të, duke kërkuar nga ai që ta marr në duar trashëgimin rugoviane , sepse i bije atij.

“Lutfi Haziri ka qenë ushtar i Ibrahim Rugovës. Po iu tregoj se Rugova i ka dashur njerëzit e rinjë, rininë. Lutfi Haziri ka qenë djalë i ri në atë kohë. I ri është edhe sot. Unë po i them merre trashëgiminë e Ibrahim Rugovës se të bije hise ty”, tha Merovci.

Në fund të kësaj Akademie Përkujtimore, u dha edhe një program i muzikës serioze. Nga Kori “Simparatum”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme