Haziri: Lajmi i mirë është se rasti i Zhegrës është shëruar plotësisht

Prishtinë | 08 Pri 2020 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në ditën e 27 të angazhimit rreth menaxhimit të situatës emergjente, ka thënë se është lajm i mirë për shërimin e plotë të një qytetari të prekur me Coronavirus, ndërkaq deri tani janë 4 qytetarë të shëruar plotësisht.

“Me simptoma të lehta janë edhe dy qytetarë që janë duke vazhduar trajtimin shëndetësor në Klinikën Infektive, derisa dy rastet që kanë ardhur nga Zvicra janë duke vazhduar karantinën sipas vendimeve në fuqi, por pa kontakte me familjet e tyre”, ka thënë kryetari Haziri.

Edhe sa i përket rastit të fundit, Haziri ka potencuar se angazhimi do të jetë maksimal dhe mbështetja institucionale do të jetë maksimale, ndërsa ka apeluar për vetëpërmbajtje dhe qëndrim në shtëpi.

“Rasti i fundit i paraqitur me 7 prill i një qytetari me inicialet I. S. 56 vjeçar është i lokalizuar dhe po përcillet me kujdesin maksimal të mjekëve dhe ekipeve emergjente. Bazuar në historikun e kontakteve, ai si komercialist ka pas kontakte nga jashtë Gjilanit dhe si duket prekja me virusin ka ndoshur jashtë Komunës sonë. Gjendja e pacientit është duke u monitoruar, por sipas ekipeve mjekësore, gjendja e tij sot është më e mirë, ndërsa familja është vetizoluar dhe nuk ka vend për shqetësim”, tha Haziri.

“Në vetizolim jemi duke i mbajtur 11 qytetarë. Në ditët në vijim, fshati Zhegër do të lirohet nga karantinimi, sepse atje tashmë është shëruar plotësisht një pacient dhe të gjitha testet kanë dalë negative dhe nuk ka më asnjë të prekur, për çka edhe po kumtojmë këtë lajm të mire”, ka thënë ai. 

Kryetari Haziri ka përçuar apelin e tij që të mos dilet në rrugë, të vetpërmbahen në maksimum të gjithë qytetarët, duke treguar kujdes maksimal në higjienë dhe shëndetin e familjes.

Gjithashtu, ka paralajmëruar se përmes Inspekcionit, do të monitorohet gjendja tek të gjitha ekonomitë shërbyese në sektorin privat, për respektimin e rekomandimeve për distancën dhe masat mbrojtëse të qytetarëve dhe punëtorëve që punojnë.

“Në rast që nuk respektohen rekomandimet e institucioneve të shtetit për distancën dhe masat mbrojtëse, detyrohemi që t’i mbyllim veprimtaritë biznesore, përkundër që Komuna e Gjilanit nuk dëshiron të arrijë në këtë nivel”, ka paralajmëruar kryetari Haziri.

Të ngjashme