Haziri: Qëndresa Sadriu është shembulli më i mirë i gjeneratës së tretë të bashkatdhetarëve

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, e ka pritur në takim sot kryetaren e Kuvendit të Komunës Glattbrug të Zurich, njëherit deputeten kantonale të Zurich, gjilanasen Qëndresa Sadriu.

Me këtë rast i pari i Gjilanit, pas takimit theksoi se zgjedhja e deputetës është një arritur e jashtëzakonshme, duke qenë shembulli më i mirë i gjeneratës së tretë të bashkatdhetarëve duke marrë rol vendimarrës.

“Më gëzon fakti që kjo politikane e re ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në Zvicër. Qëndresa është krenaria e Gjilanit, e Kosovës dhe e bashkatdhetarëve tanë dhe po dëshmohet që gjenerata e tretë e bashkatdhetarëve ka marrë rol udhëheqës dhe vendimmarrës jo veç në sport, por edhe në politikë”.

Deputetja e sapo zgjedhur kantonale në Cyrih, Qëndresa Sadriu, e ka falënderuar kryetarin Haziri për pritjen dhe mbështetjen për fitoren e saj atje.

“Për mua ka qenë një arritje shumë e madhe personale, por besoj edhe për të gjithë ne si komunitet. Faleminderit për përkrahjen e madhe kryetarit Lutfi Haziri dhe bashkatdhetarëve tanë në Zvicër e Kosovë që kanë bërë shumë për këtë fitore timen”, ka deklaruar Sadriu.

Ndryshe, Qëndresa Sadriu, si përfaqësuese e Partisë Socialdemokrate, në mars të këtij viti, u zgjodh deputete në Parlamentin e Kantonit më të madh të Zvicrës, në atë të Zurich, njëherit edhe kryesuese e Kuvendit të Komunës Glattbrug.

Të ngjashme