Helmimi i qytetarëve në Deçan – Abdixhiku e Muhaxheri i ofrojnë ndihmë Ramosajt

Prishtinë | 13 Kor 2021 | 20:55 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryetarin e komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherin, i kanë ofruar mbështetje komunës së Deçanit, pasi më shumë se 1 mijë persona u helmuan.

Abdixhiku përmes një statusi në Facebook, tha se në momentë të tilla duhet të jemi afër njëri-tjetrit pa dallim.

Postimi i plotë:

Sot, me bashkëpunëtorë, vizitova Deçanin pas gjendjes emergjente të shpallur si rrjedhojë e helmimit të mbi 1500 qytetarëve tanë. Të gjithë jemi të brengosur dhe bashkëndjejmë për shëndetin e tyre.

Gjendja është e rëndë; me fëmijë, gra e burra të shtrirë. Por kjo s’është kohë për të bërë politikë e as për gjueti fajtorësh. Përkundrazi, është koha për ndihmë. Prandaj, së bashku me Gazmend Muhaxherin, Kryetarin e Pejës, Komunës fqinje, i ofruam ndihmën e nevojshme – të çfarëdoshme – Komunës së Deçanit e Kryetarit Ramosaj, Qeverisë qendrore e gjithë qytetarëve të kësaj ane. Gjothashtu, të gjitha ekipet tona të ekspertëve e profesionistëve, vullnetarëve e strukturave janë në dispozicion të plotë. Sot, të gjithë ndjehemi qytetarë të Deçanit.

Në emër të LDK-së, falënderoj stafin shëndetësor në Deçan dhe gjithë ekipet tjera ndihmëse që po kujdesen ditë e natë për qytetarët tanë. U bëj thirrje të gjithëve, pa dallim, të jemi afër njëri-tjetrit në orë si këto e t’i shtojmë përpjekjet tona kudo që ka nevojë.

Në fund, më lejoni që t’i siguroj të gjithë ata që në këto momente po e vuajnë këtë gjendje me shëndetin e tyre, se ata dhe familjet e tyre nuk janë vetëm.

Të ngjashme