Heroinat e heshtura

Prishtinë | 14 Qer 2020 | 10:10 | Nga Ekonomia Online

Sherife e Dashurie Hajdari, nënë e bijë, po zgjoheshin barabar me diellin. Menjëherë i përvilnin duart për brumin në magje. Ishte vera e vitit 1998. Fshatrave të tëra gjithandej Kosovës u ishte vënë flaka nga forcat serbe. Lufta kishte mbërritur edhe në fshatin e tyre malor. Gratë po jepnin kontributin e tyre në forma të ndryshme edhe në Jezerc.

“Vallahi kanë gatu tri herë në ditë, katër muj e gjysë”, thotë plaku Shefki Hajdari. Shikimin kthen kah bashkëshortja shamibardhë. ‘Tri herë në ditë. Tri herë në ditë”, përsërit Shefki Hajdari, duke theksuar më fort fjalinë e fundit. “Vallahi i kemi çu ka pesë-gjashtë tepsia me pesëdhjetë a gjashtëdhjetë bukë si të furrës. Me sabah u dashke me kall furrën”, shton rrëfimin Sherife Hajdari. “Edhe thmija na nimojshin me bajt dru”.

Image

Sherife e Shefki Hajdari rrëfejnë se si familjarët ndihmuan në forma të ndryshme ushtarët e UÇK-së në Jezerc të Ferizajt

“Pasha Zotin, krejt gratë e katunit kanë dhanë bukë”, ndërhyn Shaqir Biba nga Manastirici, në oborrin e kushëririt në fshatin Nerodime e Poshtme. Pas luftës kanë rënë në rrafsh prej Jezercit malor, ku ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së për Zonën Operative të Nerodimes. Aty ishin përqendruar pjesëtarët e saj në rrethinën e Ferizajt.

“Kjo gruja jem, bre jarani jem, ka gatu vum e vum e vum prej sabahi, ka pesë bukë tu i rrotullu përnjëherë”, thotë Biba, teksa me dorën grusht shtyp shtrojën e kauçit. “Ia niske prej dymbëdhjetëve. Ka ba vaki tri herë në ditë. Pasha Zotin, ka gatu qëkjo gruja jeme, motra Nafia e besa edhe nana rahmetlikja, Sabria”, shton ai. Shikimin e kthen kah gruaja fjalëpakë në shtëpinë e tyre në Manastirc. Hatixheja, me lëvizje koke, aprovon fjalët e burrit, i cili më vonë do gatuante e do të hapte istikame për UÇK-në.

Histori krejtësisht të panjohura

Kontributi në forma të ndryshme i grave gjatë luftës në Kosovë është dokumentuar edhe me fotografi e xhirime të fotoreporterëve dhe kameramanëve shqiptarë e të huaj. Pamjet atëherë merrnin dhenë pasi transmetoheshin nga televizionet perëndimore. Por, të pakta janë gratë që kanë folur publikisht për veprimtarinë e tyre para dhe gjatë luftës në Kosovë. Për atë periudhë krenueshëm rrahin gjoks burrat. Edhe në Kuvend. Edhe kur rrëzojnë Qeverinë në kulmin e pandemisë. Pakkush kujtohet për rolin e grave në çlirimin e vendit.

Në Prishtinë është ndërtuar monumenti “Heroinat” përballë Pallatit të Rinisë. Drenasi i ka ngritur shtatore Xhevë Lladrovcit e Ferizaj Hyrë Eminit. Një pllakat përkujtimor në qendër të Ferizajt pasqyron përmbledhtas “Guximin e gruas” të dëshmuar me marshimin e grave të fshatit Balaj në mbrojtje të suprimimit të autonomisë së Kosovës në 23 marsin e vitit 1989.

Të ngjashme