Hidhet poshtë aktakuza kundër ministrit Liburn Aliu

Prishtinë | 14 Qer 2021 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka hedhur poshtë aktakuzën për korrupsion ndaj ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të tjerëve.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express avokati Behar Ejupi, i cili në këtë rast e ka përfaqësuar juridikisht klientin e tij Zejnulla Rexhepi.

“Sot më datë 14 qershor kam pranuar aktvendimin me të cilin Gjykata Themelore në Prishtine ka pranuar kërkesën për hedhjen e aktakuzes dhe janë pranuar kërkesat e avokatëve”, tha avokati Ejupi.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 24 korrik të vitit të kaluar e ngarkon Aliun me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare gjatë kohës kur ai ushtronte detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Përveç Aliut, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar ishin të akuzuar edhe Ardian Olluri, Zejnulla Rexhepi, Nazife Krasniqi, Bahtie Uka dhe Mimoza Berisha Prestreshi.

Të ngjashme