Hidrocentralet e vogla, shkatërrimtare për mjedisin

Prishtinë | 20 Tet 2019 | 10:14 | Nga Ekonomia Online

Hidrocentralet e planifikuara dhe ato ekzistuese, sipas hulumtuesit të “Balkan Green Foundation”, Besfort Kosova, janë ndërtuar pa kritere dhe nuk janë marrë parasysh fare interesat e komuniteteve lokale.

Licencimi i tyre, sipas tij, është i paqartë dhe me shumë probleme, pasi që nuk ka koordinim të duhur institucional dhe është një ngatërresë e madhe administrative dhe burokratike.

Në një intervistë për gazetën “Koha Ditore”, ai ka thënë se edhe pse minimumi i përcaktuar biologjik i rrjedhës ujore duhet të jetë 30 për qind, kjo respektohet pak duke përmendur rastin e tharjes skandaloze të Bistricës së Deçanit dhe nisjes së padisë nga Komuna përkatëse drejt operatorit ekonomik për prishjen e kësaj norme.

Ka përmendur faktin se si hidrocentralet punojnë pa leje mjedisore, e cila është esenciale për funksionimin e tyre. Gjatë intervistës ka numëruar një varg shkeljesh të evidentuara nga ana e organizatës ku ai punon.

Mungesa vlerësimit (real) të ndikimit në mjedis, mungesa e raporteve të bazuara të ndikimit të këtyre veprave në aspektin social dhe ekonomik të rajoneve ku ndërtohen, mungesa e debateve publike dhe marrja e aprovimit nga qytetarët të cilët në të shumtën e rasteve shpërfillen dhe projektet bëhen në kurriz të tyre, duke i dëmtuar ata në forma të ndryshme, por më së shumti duke i lënë pa ujë për ujitje apo për pije, kanë qenë disa nga shkeljet që ai ka përmendur.

KD: Ka pasur kundërshtime të shumta nga qytetarët dhe organizatat e Shoqërisë Civile ndaj ndërtimit të hidrocentraleve të vogla. Sa ka nevojë Kosova për to?

Kosova: Kosova si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë është zotuar që së paku 25% e energjisë të jetë nga burime të ripërtërishme të energjisë deri në vitin 2020. Në mënyrë që ky zotim të arrihet, Ministria përkatëse ka krijuar kuotën prej 240 MW nga energjia ujore, si dhe ka paraparë 77 pika ku mund të ndërtohen hidrocentrale të vogla në vend.

Kjo gjë është shkatërrimtare për mjedisin dhe ndikon negativisht në jetën ekonomike, në turizëm, në bujqësi, ndikon negativisht në zhvillimin e qëndrueshëm të shumë komuniteteve, por edhe sistemeve biotike.

“Balkan Green Foundation” konsideron se si këto hidrocentralet e planifikuara ashtu edhe ato ekzistuese shumica e tyre janë ndërtuar pa kritere dhe fillimisht nuk janë marrë parasysh fare interesat e komuniteteve lokale. Kemi parë shumë raste kur debatet publike me qytetarët e ndikuar nuk janë zhvilluar fare apo janë bërë shkel e shko, dhe për pasojë konfliktet sociale më vonë kanë qenë të pashmangshme.

Të ngjashme