“Homofob, s’ki vend në Kuvend” – Protestë kundër deputetëve që s’e votuan Kodin Civil dhe homofobisë që u shpërfaq

Prishtinë | 17 Mar 2022 | 12:47 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Para Kuvendit të Kosovës është mbajtur një protestë pasi shumica e deputetëve nuk e votuan Projekt-Kodin Civil, që veç tjerash, mund t’i hapte rrugë një ligji të posaçëm për martesat mes gjinisë së njëjtë.

Përfaqësues të komunitetit LGBT (lesbike, gej, biseksualë, transgjinorë) dhe qytetarë të tjerë protestuan pasi në seancën e djeshme në Kuvendin e Kosovës, u dëgjuan fjalime ofenduese e homofobike nga një numër deputetësh.

“Homofob, s’ki vend në Kuvend”, “Dashnia është rezistencë”, ishin disa nga pankartat që protestuesit mbanin në duar.

Mirishahe Syla, nga komuniteti LGBTI, tha se dje ishim dëshmitarë të homofobisë, të urrejtjes dhe keqinformimit në Kuvendin e Kosovës – në vendin ku pritet të kalojnë ligjet që ua mundësojnë të gjithë njerëzve të jetojnë të lirë, pa dallim.

“Në Kuvendin e Kosovës po mohohet e drejta bazike e njeriut dhe po shkelet Kushtetuta. Gjuha e përdorur nga deputetët është nxitje për dhunë ndaj personave LGBT”, tha Syla, raporton Ekonomia Online

“Në këtë Kuvend janë shpërndarë rrena mbi përjetimet e gjithë neve. Janë sulmuar familjet LGBT, janë sulmuar njerëzit që zgjedhin mos me pasë fëmijë edhe ata që nuk mund të kenë dhe prindërit adoptues”.

“Familja vazhdon të jetë institucion i dhunës. E drejta për t’u martuar me e personin që don garantohet me Kushtetutën e Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë deri në krijimin e një shoqërie të lirë të barabartë për të gjithë”, tha Syla.

Në fund, protestuesit kanë vendosur sloganet e protestës në tokë para derës së Kuvendit. “Korrupsioni është krim e jo dashnia”, shkruante në njërën nga to.

Të ngjashme