Hooper: Kosova tani po shihet si një vend me liderë kokë-nxehtë

Prishtinë | 14 Shk 2019 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

James Hooper, ish- diplomat amerikan ka thënë se me qëndrimin për taksën liderët e Kosovës pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ai e ka cilësuar këtë si hap hap më kontraproduktiv të liderëve të Kosovës të ndërmarrë ndonjëherë.

“Me këtë vendim, ata pothuajse e kanë krijuar një armik nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. I kanë sjellë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara në nivelin më të ulët që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Është e jashtëzakonshme, Kosova ishte në pozitën e fuqizimit ndërkohë që procesi i bisedimeve po vazhdonte me Beogradin dhe tani e kanë hedhur tutje atë pozicion të fuqishëm, kanë krijuar një kundërshtim me Shtetet e Bashkuara, i cili nuk ka pasur fare nevojë të ekzistojë”.

“Tani kanë krijuar një spektakël publik, në të cilin Pentagoni, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë, janë bashkuar në një mënyrë të cilën unë asnjëherë nuk e kam parë në historinë e diplomacisë amerikane, për t’ua tërhequr vërejtjen kosovarëve se duhet ta pezullojnë taksën”.

“Thënë sinqerisht, për mua kjo është shenjë e një forme të ngushtë dhe provinciale e të menduarit, dhe kjo është shumë e rrezikshme për Kosovën, shumë e rrezikshme. Kosova nuk mund t’ia lejojë vetes të futet në kënaqësinë e të menduarit në formë nacionaliste”.​

“Nëse kosovarët mendojnë se kështu duhet ecur përpara dhe nëse kjo është zgjedhja e tyre, atëherë ashtu qoftë, por qeveria amerikane është duke u thënë që nëse ecni në këtë rrugë, do ta humbni mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Dhe ky bashkëpunim, është një vlerë strategjike, të cilën Kosova nuk guxon ta humbë”.

“Në kuptimin praktik, Kosova tani po shihet — në vend të një shteti me liderë të matur, me mendje të kthjellët dhe të arsyeshëm e praktikë – si një vend me liderë kokë-nxehtë, të cilët ndjekin agjenda nacionaliste dhe kjo bie në kontrast me Beogradin, i cili tani po tregohet më racional. Dhe ky është një ndryshim shumë i madh”, ka thënë ai, transmeton Klan Kosova .

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme