Hotelierët e gastronomët me pakënaqësi ndaj masave, kritika ndaj partive: Shkelën çdo rregull të pandemisë

Prishtinë | 24 Tet 2021 | 16:41 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Sektori i gastronomisë ka shprehur pakënaqësi ndaj masave të reja, ku këtij sektori do t’i lejohet të punojë deri në ora 23:00, por muzika duhet të ndalohet pas orës 21:30. Ata sot (të dielën) në ora 21:30 do të protestojnë para objektit të Qeverisë, raporton Ekonomia Online.

Fatlum Rafuna, menaxher i një prej lokaleve të Prishtinës, në një deklaratë për Ekonomia Online, ka thënë se do jenë prezent në protestën e organizuar nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, duke shtuar se masat e Qeverisë nuk  kanë qenë efektive.

 “Gastronomia ka pasur humbje më së shumti por duke pritur që edhe masat të ndërrohen apo edhe të bëhen më të mira. Mirëpo masat e reja që i kanë bërë tash i ka bërë edhe qeveria e kaluar dhe doli që nuk kanë qenë efektive dhe nuk kanë dalë të sakta”.

 “Pastaj këto masa janë prapë, p.sh muzika me u ndal në ora 21:30 që është cenim i privatësisë dhe ne dhe për këtë arsye kemi bë këtë protestë që në shenjë pakënaqësisë të krejt kësaj që po ndodh me dalë edhe me protestua”.

Ai tutje shton se protesta do jetë më shumë simbolike dhe paqësore dhe nuk do ketë bllokada, duke shpresuar që të ketë ndërrim të këtyre masave.

“Do dalim sot patjetër, dhe protesta është më shumë simbolike sesa që do të bllokoj prapë diçka por që besoj se këta kanë me ndërhy dhe me i ndërrua këto masa të reja”.

Po ashtu edhe Hysen Sogojeva, kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, po i sheh jo efektive masat, ndërsa ka kritika ndaj partive politike, siç thotë ai kanë shkelur çdo rregull të pandemisë

“Nuk ka më arsye kur e dimë që gjatë fushatës i kanë tejkaluar çdo normë dhe jo vetëm që nuk ju kanë përmbajtur, ku ne vet kemi bërë apel që masat të respektohen”.

Ai shton se përkundër premtimeve të ministrit të Financave Hekuran Murati për ndihmë bizneseve, kjo gjë nuk po vërehet në terren pasi që bizneset nuk po fitojnë thjesht po rehabilitohen.

“Në bazë të asaj që kemi parë në terren nuk ka diçka të definuar sidomos në Ligjin e rimëkëmbjes dhe në takimin e fundit që kemi pasur me ministrin e Financave na ka premtuar që kjo do realizohet, por kjo nuk po vërehet. Kjo është vetëm rehabilitim i bizneseve dhe mos të flasim për fitim”.

Gjithashtu, Shpat Hashani nga sektori i gastronomisë, tha se masat e ndërmarra deri tani kanë qenë të panevojshme dhe gjobat që kanë marrë kanë qenë të papërballueshme për ta.

“Duke pasur parasysh që vendimet që i kanë marrë për këto masa kanë qenë të panevojshme e në disa raste sidomos klientët mos të qohen në këmbë, sepse ka persona që rrinë një kohë të gjatë ulur dhe kur kanë ardhur inspektimi atëherë kemi marrë edhe gjoba të mëdha. Përveç që nuk na kanë lehtësuar masat na kanë dhanë gjoba të mëdha deri në 2 mijë euro”, përfundoi ai.

Po ashtu edhe Rafuna thotë se humbjet janë aq të mëdha sa edhe ndihmat që kanë marrë kanë qenë modeste më shumë sesa ndihmë.

“Po dëmet kanë qenë të mëdha dhe ka pasur ndihma edhe nga komuna dhe shteti por që prapë kanë qenë ato ndihma modeste dhe as gjysmën nuk e kanë ndihmua për dëmet që kemi pasur”.

Të ngjashme