Hoti: Kemi rreth 20 mijë profesionistë shëndetësorë dhe mbi 10 mijë studentë të vaksinuar

Prishtinë | 02 Gus 2021 | 17:57 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti ka bërë të ditur se rreth 20 mijë punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar deri tani kundër Covid-19.

I ftuar në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin ai ka thënë se interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është rritur së fundmi.

“Ne kemi diku rreth 20 mijë profesionistë shëndetësorë, përfshirë infermierët dhe mjekët që janë vaksinuar. Në sektorin publik ne i kemi diku rreth 13 mijë e 500 të punësuar, kur shtojmë këtu edhe sektorin privat që mund t’i ketë prej 4 deri në 5 mijë i bie që ky është numri i atyre që aktualisht ofrojnë shërbime brenda sektori shëndetësorë”, ka thënë ai.

Përndryshe, Hoti ka thënë se interesim të madh për t’u vaksinuar kanë pasur edhe studentët.

Sipas tij, mbi 10 mijë studentë janë vaksinuar deri tani.

“Shohim që ka interesim jashtëzakonisht të madh të studentëve për t’u vaksinuar dhe deri tash janë mbi 10 mijë student të vaksinuar. Duam t’i shohim të vaksinuar të gjithë ata që janë të moshës mbi 18 vjeçare”, ka thënë ai.

Hoti është shprehur se Kosova ka mjaftueshëm vaksina, andaj edhe ka ftuar qytetarët që të vaksinohen.

“Për MSh është me rëndësi të arrihet objektivi i vaksinimit, 60 për qind e popullatës. Është e rëndësishme të vaksinohen disa grupacione që janë shumë të rëndësishëm. Në sektorin publik rreth 13 mijë e 500 të vaksinuar . Pothuajse që të gjithë janë vaksinuar. Mund të ketë rast që për arsye të caktuara nuk janë vaksinuar”, ka shtuar ai.

Të ngjashme