Hoti: Mikullovci do të mbetet frymëzim për brezat e rinj

Prishtinë | 15 Sht 2020 | 10:12 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit të madh shqiptar, Adem Mikullovci, duke thënë se ai do të mbetet përherë frymëzim për brezat e rinj, për artin dhe për atdhedashurinë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se Mikullovci ishte pjesë e gëzimeve dhe feshtave në familjet shqiptare, shkruan

Sipas tij, përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe atdhetar i pashoq.

Hoti shtoi se aktori me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.

Adem Mikullovci vdiq sot në ora 00:20, menjëherë pas mesnatës.

Varrimi i tij do bëhet sot në ora 16:00 në varrezat e qytetit në Prishtinë.

Postimi i plotë i Hotit:

Aktori i madh shqiptar, Adem Mikullovci, na paska lanë e paska ikë nga kjo botë, por vepra e tij asnjëherë nuk do të na lërë.

Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.

Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.

Në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë komunitetit të artistëve.

Lavdi jetës dhe veprës së Bacës Adem!

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme