Hoti: Qeveria për herë të parë ka program të garës për 340 mijë nxënës

Prishtinë | 14 Shk 2019 | 14:03 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti takoi sot drejtorët e shkollave të komunës së Suharekës. Ai tha se është hera e parë që Qeveria e Kosovës ka një program për garën për 340 mijë nxënës.

Në këtë takim Hoti prezantoi Programin Nacional për Rininë dhe i njoftoi drejtorët për fillimin e garës që nga java e ardhshme.

​”Programi Nacional për Rininë do të organizohet në formë të garës në tri fusha: Dituri, Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik dhe në Sport. Për secilën garë kemi hartuat udhëzues për mbarëvajtjen e garës të cilët veçse janë shpërndarë nëpër shkolla. Gara në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik do të filloj më 19 shkurt të këtij viti dhe kam besimin e plotë që ju do të bëni më të mirën për implementimin e programit”, tha Hoti.

I pranishëm në takimin e Koordinatorit Hoti me drejtorët e shkollave të Suharekës ishte edhe kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, i cili premtoi shpërblime për fituesit.

“Synimi ynë është ta ndryshojmë për të mirë cilësinë e arsimit. Ne si komunë do të japim shpërblime për të gjithë fituesit e kësaj gare në nivel shkollor dhe komunal sepse ku ka konkurrencë ka cilësi”, tha Kryetari Muharremaj.

Drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bytyçi, tha se kjo garë është e rëndësishme për nxënësit sepse për herë të parë po organizohen në mënyrë institucionale.

“Është e rëndësishme që ky program do të realizohet në parimin e gjithë përfshirjes së nxënësve. Ne si drejtori e kemi pëlqyer këtë program, shpresojmë dhe do të angazhohemi që ky program do të jetësohet në mënyrën më të mire të mundshme”, tha drejtori Bytyçi.

Programi Nacional për Rininë përfshin të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe universitar në Kosovë në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme