Hoti takohet me Zëvendësministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri

Prishtinë | 21 Shk 2019 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, është pritur në takim nga Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lorena Haxhiu.

Hoti shpalosi konceptin e Programit Nacional për Rininë që ka filluar të zbatohet në Kosovë dhe kërkoi që i njëjti të implementohet edhe në Shqipëri në mënyrë që nxënësit tanë të garojnë në nivel ndërshtetëror së bashku.

“Programi Nacional për Rininë bazohet në garën në tri shtylla: kreativitet kulturor dhe mendim kritik, sport dhe dituri. Gara do të ketë nivelin e shkollës, komunës dhe atë republikan. Ne duam që edhe ju të përdorni këtë sistem të garës në mënyrë që të zhvillohet edhe niveli ndërshtetëror i garës ku nxënësit dhe studentët tanë mund të garojnë ndërmjet vete. Ky program është një sistem gjithëpërfshirës që u mundëson të gjithë nxënësve të kenë mundësi të barabartë për garë”, tha Koordinatori Hoti.

E Zëvendësministrja Haxhiu e përgëzoi Hotin për punën e bërë dhe për mundësinë për bashkëpunim për programin duke thënë se do të shqyrtojnë të gjitha mundësitë për bashkëpunim.

“Unë e pëlqej shumë idenë e programit sepse nxënësit dhe studentët kanë nevojë për frymën kompetitive. Ju falënderoj që na keni sjellë një program kaq konkret dhe ju premtoj se do të angazhohemi për bashkëpunim. Meqë ju në Kosovë jeni një hap para me programin, ne do të jemi të vëmendshëm për të marrë praktikën tuaj të zbatimit dhe ta përshtasim edhe për Shqipërinë”, tha  Zëvendësministrja Haxhiu.

Programi Nacional dhe Ndërshtetëror për Rininë parasheh garat në nivel rajonal me shtetet tjera ku përfshihet edhe Shqipëria dhe shtetet e rajonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme