Hoxha: Albin nuk mbahet pushteti me shkarkime e dhunë

Prishtinë | 21 Pri 2020 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, ka reaguar pas suspendimit nga puna të komandantit të Njësive Speciale Amir Gërguri.

Hoxha ka thënë se Gërguri është ekspert i jashtëzakonshëm i mbrojtjes dhe sigurisë publike.

Statusi i plotë i tij:

Ofansiva e Kurtit në policinë e Kosovës për ta përgatitur terrenin për destabilizimin e vendit!

Qeveria në ikje është duke vazhduar operacionin e saj me largime e shkarkime të njerëzve nga puna në të gjitha institucionet e vendit edhe aty ku kjo qeverisje nuk gjen arsye serioze për të larguar dikë nga puna, asaj i mjaftojnë edhe arsyet më banale duke e shikuar kush me këndë është fotografuar apo në cilin aheng familjar ka marr pjesë.

Ne edhe pse mbajmë pozita publike në radhë tē parë jemi qenie njerëzore, kemi familje, miq dhe shokë, marrim pjesë edhe në ahengje të ndryshme familjare dhe fotografohemi me njerëzit, kjo është krejt normale dhe ndodh në çdo shoqëri demokratike.

Sot operacionin e shkarkimeve ky pushtet e paska orientuar tek Policia e Kosovës duke e suspenduar Komandantin e Njësive Speciale Amir Gërguri i cili është ekspert i jashtëzakonshëm i mbrojtjes dhe sigurisë publike. Me Amirin dhe profesionalizmin e tij krenohemi të gjithë!

Sigurisht që Kryeministrit në ikje Albin Kurti dhe LVV-se nuk i ka mjaftuar dhuna që ka ushtruar në vazhdimësi ndaj policeve tonë, duke i gjuajtur ata me objekte të ndryshme të rrezikshme, shishe me ngjyra, koktej molotovi dhe duke ju shkaktuar lëndime të rënda trupore, por tani tenton që përmes veprimeve jo ligjore t’i dëmtoj ata edhe në karrierën profesionale.

Albin nuk mbahet pushteti me shkarkime e dhunë!

Të ngjashme