Hoxha e Idrizi bisedojnë për integrimin e gjyqësorit në veri, punësohen edhe 48 gjyqtarë

Prishtinë | 26 Kor 2016 | 12:17 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli Gjyqësor paralajmërojnë se integrimi i sistemit gjyqësor në veri do të ndodhë, përkundër sfidave.

Gjatë një takimi që ministrja e re, Dhurata Hoxha, ka zhvilluar me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Nehat Idrizi, u bë e ditur se deri në tetor pritet të nisin punën edhe 48 gjyqtarë të rinj, si dhe 115 veta staf administrativ.

Ministrja Hoxha ka deklaruar do të përkrahë Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të rritur efikasitetin. “Ne si Ministri e Drejtësisë do të punojmë Këshillin Gjyqësor pa e cenuar pavarësinë e gjyqësorit dhe aty ku mund të ndihmojmë në krijimin dhe forcimin e gjyqësorit, ne do të jemi afër në kuadër të mandatit tonë”.

“Gjithashtu ne jemi të përkushtuar që t’u ndihmojmë me reformat përkatëse në legjislacion dhe do të kemi një koordinim edhe me Këshillin Gjyqësor dhe me Këshillin Prokuriorial, që të bëjmë reformat e duhura në legjislacion. Gjithashtu kemi biseduar edhe për integrimin e gjyqësorit në veri, dhe ne si ministri kemi përkrahur këtë proces”, ka shtuar ajo.

Kryesuesi i KGjK-së, Nehat Idrizi, tha se në këtë takim u diskutua edhe për integrimin e sistemit të drejtësisë në veri, për të cilën gjë ai u shpreh i bindur se do të ndodhë.

Idrizi e njoftoi ministren Hoxha për sfidat me të cilat përballet sektori i drejtësisë, ndërsa theksoi se mbetet hapësirë për përmirësimin e mëtejmë të gjendjes nëpërmjet koordinimit institucional nga të gjithë akterët vendimmarrës.

“Aktualisht procesi në veri është në zhvillim e sipër; komisionet përkatëse janë formuar dhe ato priten të fillojnë punën e tyre në shtator dhe me shpresë se gjithçka do shkojë në rregull dhe në muajin tetor pritet të bëhet finalizimi i këtij procesi, i cili do të jetë një proces me sfida. Mirëpo shpresojmë që këto do t’i kalojmë me një koordinim të përbashkët të punës ndërmjet Këshillit Prokuriorial, me Ministrinë e Drejtësisë dhe atë për Dialog, Edita Tahiri, për t’i ndihmuar dhe do të bëjmë reformat përkatëse për legjislacion në ngritje të efikasitetit”, theksoi Idrizi.

Ai tha se zvarritja e emërimit të gjyqtarëve ka ndodhur për shkak se disa nga kandidatët nuk i kanë plotësuar kushtet. “Prej 48 gjyqtarëve, kushtet i kanë plotësuar vetëm 34 prej tyre, dhe kjo ka qenë arsyeja e zvarritjes, ku aktualisht kanë mbetur edhe 14 vende pa u plotësuar”, tha ai.

“Sa i përket stafit administrativ, janë 115 pozita të lira ndërsa numri i kandidatëve ka shkuar në 1500”, ka njoftuar Idrizi.

Ministrja Hoxha në këtë konferencë ka folur edhe për propozimin e ndryshimit të Ligjit për Kodin Penal të Kosovë, gjë që u përmend dje nga presidenti Hashim Thaçi.

Ajo ka thënë se për këtë janë në bisedime me Thaçin dhe se çdo ndryshim do të bëhet për rritje të efikasitetit në drejtësi.

Ministrja Hoxha tha se është e përkushtuar në fuqizimin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, si dhe në reformat dhe efikasitetin në trajtimin e lëndëve.

“Transparenca, efikasiteti, përgjegjshmëria, luftimi i korrupsionit, sundimi i rendit dhe ligjit, si dhe parimi se askush nuk është mbi ligjin do të jetë udhërrëfyes gjatë tërë mandatit tim”, tha ministrja Hoxha.

dhurata hoxhaa

Të ngjashme